Sport

Në Pejë nis gara e plejofit

Me duelin ndërmjet Pejës dhe Bashkimit do të nisë plejofi në Superligën e Kosovës në basketboll. Edhe ky plejof do të nisë prej fazës çerekfinale. Dueli çerekfinal mes Pejës dhe Bashkimit zhvillohet të mërkurën prej orës 20:45 në palestrën “Karagaçi”. Peja llogaritet favorite përballë Bashkimit, ndërsa ekipi që shënon dy fitore do të kualifikohet në gjysmëfinale.

Peja së fundmi triumfoi në Ligën Unike, ndërsa stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës e ka mbyllur në pozitën e tretë. Bashkimi ka përfunduar i gjashti dhe ka bilanc negativ ndaj Pejës. Në katër përballjet e stinorit të rregullt Peja ka tri fitore e një disfatë.

Skuadra që kualifikohet në gjysmëfinale do të luajë me Trepçën.

Ndeshja tjetër çerekfinale është ajo ndërmjet Prizreni-16 dhe Sigal Prishtinës që do të luhet të enjten (20:45) në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Edhe pse stinorin e rregullt e përfunduan me bilanc të njëjtë – 15 fitore e 13 humbje – Prizreni-16 përfundoi i katërti duke e lënë Prishtinën në pozitën e pestë, falë bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella. Prizreni-16 triumfoi tri herë ndaj Prishtinës, që fitoren e vetme e arriti vikendin e shkuar në xhiron e fundit të pjesës së rregullt. Ekipi që avancon në gjysmëfinale nga ky çift do të ketë punë me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin.