Sport

Patinazhistja Zhu Yi kritikohet ashpër pas rrëzimit në debutimin olimpik për Kinën

Patinazhistja e lindur në SHBA, Zhu Yi, u rrëzua disa herë dhe dështoi të bënte një kërcim në debutimin e saj olimpik për Kinën, duke shkaktuar reagime të shumta në mediat sociale kineze.

19-vjeçarja, që hoqi dorë nga shtetësia amerikane për të garuar për Kinën në Lojërat Olimpike Dimërore, u rrëzua dhe u përplas në një mur gjatë ngjarjes ekipore të programit të shkurtër në patinazhin artistik. Hashtagu “Zhu Yi është rrëzuar” shumë shpejt u bë tema kryesore në platformën sociale të Kinës “Weibo”, përpara se të censurohet.

Ishte një kthesë e shpejtë për garuesen Zhu, e cila u brohorit pak minuta më herët në arenën “Capital Indoor” për debutimin e saj olimpik. Të hënën, Zhu u rrëzua edhe dy herë të tjera në garën ekipore. Përsëri emri i saj u bë trend në platformën “Weibo”, me hashtagun “Debutimi i Zhu Yi në Lojërat Olimpike Dimërore nuk është perfekt”, duke marrë më shumë se 33 milionë shikime brenda pak orësh.

Zhu Yi pas paraqitjes të hënën ia plasi vajit, duke mos arritur të përmbahet, pasi performanca e saj u vlerësua me vetëm 91.41 pikë. Shkaku i kësaj Kina përfundoi në pozitën e pestë në ngjarjen ekipore të patinazhit artistik.

“Jam më e lehtësuar, sepse kisha shumë presion dhe njerëzit presin shumë nga unë. Kështu që tani më mbetet të fokusohem vetëm në ngjarjet individuale. Sinqerisht, jam stërvitur shumë dhe mendoj se problemi kryesor ka të bëjë me ngarkesën mentale. Po përpiqem që mos të ndikohem nga mendimet e jashtme”, tha Yi. “Natyrisht, jam e shqetësuar dhe e poshtëruar, sepse doja të dëshmoja para të gjithëve se kam merituar të jem këtu, por fatkeqësisht nuk ia dola”.

Shumica e përdoruesve të platformës “Weibo” janë ankuar dhe kanë kontestuar përfshirjen e saj në ekipin olimpik të Kinës përpara ndonjë garuese tjetër që është kineze dhe nuk ka lindur në SHBA. Zhu gjithashtu është kritikuar për faktin se nuk di të flasë rrjedhshëm gjuhën kineze.

“Ajo duhet të kthehet në shtëpinë e saj në SHBA, ndërsa babai i saj mund të mbetet në Kinë”, ka shkruar njëri në “Weibo”.

Sportistët kinezë janë vënë nën një vëzhgim intensiv të publikut gjatë këtyre lojërave, me numrin e medaljeve të vlerësuar si një simbol i forcës kombëtare nga qeveria kineze. Ndërsa fokusi është te sportistët e lindur në SHBA që në këto lojëra po e përfaqësojnë Kinën. Zhu ka lindur në Los Angeles dhe ka hequr dorë nga shtetësia amerikane në vitin 2018 për të garuar për Kinën në Lojërat Olimpike Dimërore, për shkak se nuk i është lejuar shtetësia e dyfishtë. Babai i saj ka punuar në Universitetin e Los Angelesit përpara se të kthehej në Universitetin e Pekinit. Ajo ishte njohur me emrin Beverly Zhu përpara se ta ndërronte në Zhu Yi kur mori vendim për ta përfaqësuar Kinën në patinazhin artistik. Zhu është vetëm një prej disa sportistëve që janë lindur në shtetet tjera dhe po e përfaqësojnë Kinën në LOD “Pekini 2022”.

Skitarja në stil të lirë, Eileen Gu, është lindur në San Francisco. Ajo e ka nënën kineze, kurse babanë amerikan. Në vitin 2019, Gu njoftoi se do të garojë për Kinën. Dhe për dallim prej Zhu Yi, Gu është mirëpritur nga publiku kinez. Madje asaj i është vënë nofka “Princesha e borës”. Tashmë është kualifikuar në finalen e skijimit të lirë që do të mbahet të martën.

Ekipi i hokejit të Kinës që po paraqitet në këto Lojëra ka në përbërje 18 lojtarë që janë lindur në Amerikën Veriore. Kina deri më tani ka fituar dy medalje të arta dhe dy të argjendta.