Patinazhistja amerikane, Alysa Liu, ka njoftuar se po pensionohet nga sporti në moshën 16-vjeçare, dy javë pasi fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror.
Liu, që ka nisur patinazhin si pesëvjeçare, ka bërë publik vendimin përmes një postimi në “Instagram”.
“Sinqerisht nuk kam menduar ndonjëherë se do të arrijë kaq shumë sa kam arritur. Jam shumë e lumtur”, ka shkruar Liu. “Ndihem shumë e kënaqur me mënyrën se si karriera në patinazh ka shkuar. Tani pasi përfundimisht kam arritur synimet në patinazh artistik, do të lëviz para në jetën time”.
Liu fitoi titullin e parë të SHBA-së në vitin 2019, duke thyer rekordin e Tara Lipinskit si kampionia më e re e SHBA-së në patinazh artistik. Liu ishte 13-vjeçare kur u shpall kampione.
Ajo fitoi titullin edhe në vitin 2020, ndërsa të njëjtin vit fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror për juniorë të mbajtur në Estoni.
Edhe
Humb licencën shkolla ku Paris Hilton tha se ishte abuzuar gjatë adoleshencës
Liu mbeti jashtë Kampionatit të SHBA-së në patinazh artistik në janar të këtij viti pasi doli me COVID-19. Por u përzgjodh për Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Pekin këtë vit.
Në debutimin olimpik u rendit e shtata në konkurrencë individuale.
Në një Botëror jo të zakonshëm, që u mbajt pa Rusinë, Liu u rendit e treta pas japonezes Kaori Sakamoto dhe belges Loena Hendrickx. Botërori u mbajt në Motpellier të Francës muajin e kaluar.
Ajo mban rekorde për lëvizje të vështira të patinazhit që i ka bërë në moshë të re.
Kampionia më e re e SHBA-së në patinazh artistik ka thënë se ka pasur “11 vjet të çmendura” në akull dhe ka provuar shumë gjëra të mira dhe të këqija.
Liu dhe babai i saj, një refugjat politik nga Kina, ishin në mesin e atyre që u vunë në shënjestër në një operacion spiunazhi që Departamenti Amerikan i drejtësisë supozoi se ishte organizuar nga qeveria kineze. Kështu të paktën ka thënë babai i sportistes.
Njoftimi për pensionim erdhi në kohën kur po bëhet debat për të rritur kufirin e moshës për patinazhistët.
Limiti aktual është 15 vjet, por në Kongresin e Federatës Ndërkombëtare (ISU) do të votohet për ta bërë 17 vjet.
Edhe
Vonn rrëzohet, ndërsa Johnsoni fiton të artën në lëshim
Në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” u ndez sërish debati për etikën e paraqitjes së sportistëve të rinj në garat elitare, sidomos pas skandalit të dopingut, në qendër të të cilit ishte sportistja ruse, Kamia Valieva.
Liu planifikon të kaloi kohën e saj me familjen dhe shokët dhe të vazhdoi studimet. Ajo është shkolluar në shtëpi përmes një programi “online” që e kanë ndjekur edhe patinazhistë të tjerë amerikanë. Këtë mënyrë të shkollimit e ka ndjekur për shumë vjet.