Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në patinazh mosha minimale e garuesve do të jetë 17 vjet

Unioni Ndërkombëtar i Patinazhit do të rrisë moshën minimale për garuesit e garave seniore nga 15 në 17 vjet. Një vendim i tillë u mor “për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor, si dhe mirëqenien emocionale” të patinatorëve.

Vendimi vjen pas polemikave rreth Kamila Valievas në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura në Pekin.

Rusja Valieva, vetëm 15-vjeçare kur u mbajtën Lojërat, u dënua përkohësisht për shkak të dështimit në një test dopingu.

Mosha minimale do të jetë 16 vjet gjatë edicionit 2023/24 dhe 17 prej edicionit 2024/25, njofton BBC.

Presidenti i ISU-së, Jan Dijkema, e quajti vendimin “historik”. 100 vende e kanë mbështetur ndryshimin, ndërsa 16 ishin kundër.

Edhe Tërbimi, lotët e adoleshenteve dhe kolapsi olimpik Sport Tërbimi, lotët e adoleshenteve dhe kolapsi olimpik

Federata e Britanisë së Madhe ishte prej atyre që e mbështetën ndryshimin. Britanikët kanë përkrahur plotësisht rritjen e moshës minimale.

“Jeta e një sportisti është e shkurtër dhe intensive. Përvoja e tyre në këtë fazë të shkurtër vendos platformë për pjesën tjetër të jetës, në aspektin fizik, shpirtëror e emocional”, ka thënë garuesi kanadez, Eric Radford. Ai është anëtar i Komisionit të Sportistëve në ISU.

“Ndërsa dëgjoj shqetësimet e disa vendeve për vështirësitë e menjëhershme me të cilat mund të përballen me miratimin e këtij vendimi, unë mendoj se a ia vlen vërtet një medalje jeta e një sportisti të ri?”, ka pyetur kanadezi.

Rasti i ruses Valieva ka sjellë ndryshimin e madh. Ajo fillimisht u lavdërua pasi bëri një kërcim të katërfishtë në Lojërat Olimpike Dimërore. Një test i dështuar i dhjetorit 2021 doli në pah pak para se ekipit të ruseve t’i jepej medalja e artë për garën ekipore në të cilën u paraqit Valieva.

Ajo rezultoi pozitive për “trimetazidine”, që është substancë e ndaluar dhe përdoret për mjekimin e zemrës. Por Valieva u lejua të garonte në garën individuale pasi një vendim i gjykatës anuloi pezullimin e përkohshëm pas një serie apelimesh e riapelimesh.

CAS-i vuri në pah “rrethanat e jashtëzakonshme” për moshën e saj dhe kohën kur u paraqit rezultati i testit. Rezultati erdhi gjatë Lojërave dhe gati gjashtë javë pas marrjes së mostrës. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vlerësoi se dëmi do të ishte i pariparueshëm nëse Valievas nuk do t’i lejohej garimi.

Edhe Patinazhistja ruse mund të garojë, por ceremonia e medaljeve nuk do të mbahet Sport Patinazhistja ruse mund të garojë, por ceremonia e medaljeve nuk do të mbahet

Valieva megjithatë mbeti pa medalje, pas një sërë dështimesh. Edhe trajtimi i adoleshentes nga trajneri ka ngjallur shumë reagime.

Sa i takon dopingut, rasti ka mbetur ende i hapur. Por garuese të moshës së saj nuk do të ketë më në Lojërat Olimpike në patinazhin artistik.