Përgjatë tërë karrierës së tij futbollistike, nga gjeneratat e reja deri te seniorët, Stanislav Lobotka nuk ka parë kurrë atë që po e sheh te Napoli thuajse në secilën ndeshje. Tetë lojtarë të Napolit – pos portierit dhe dy qendërmbrojtësve – janë të vendosur në pjesën e kundërshtarit me të filluar ndeshja.
“Ne duam të bëjmë lojë sulmuese, të qëndrojmë vazhdimisht në pjesën e kundërshtarit duke tentuar të shënojmë, por edhe të sigurojmë goditje nga këndi për të dhënë sinjal se duam patjetër të fitojmë. Dhe nuk ka rëndësi se kush është kundërshtari pasi ne luajmë ndaj të gjithëve në këtë mënyrë”, ka treguar Lobotka.
Në Itali, ku taktikat konservative dhe “catenaccio” kanë qenë traditë e futbollit për dekada, ideja e trajnerit Luciano Spalletti për të sulmuar prej fillimit të ndeshjes është vlerësuar revolucionare, madje edhe për një ekip si Napoli që e kishte në radhët e veta Diego Maradonan kur fitoi dy titujt e vetëm në Serie A para më shumë se tri dekadave. Kjo strategji po funksionon shumë mirë pasi Napoli po shënon shumë gola si në kampionatin e Italisë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Ka arritur në shifrën e gati 100 golave në të gjitha garat këtë edicion, për t’u bërë skuadër që po marshon drejt titullit në Serie A si dhe rrezik serioz në Evropë.
Napoli pritet të sulmojë me tetë lojtarë kur ta vizitojë Milanin në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit, që zhvillohet të mërkurën mbrëma (21:00) në “San Siro”. Ndoshta do të ketë lojë të tillë sulmuese prej dy ekipeve për shkak se Milani ka kopjuar Napolin dhe taktikën e njëjtë po e përdor kohët e fundit. Sa i përket Napolit, pritet që të gjithë topat përpara të shtyhen nga këmbët e mesfushorit Lobotka. Edhe pse Kvicha Kvaratskhelia e Victor Osimhen kanë pushtuar pothuajse të gjitha ballinat këtë sezon, Lobotka , i gjatë 170 centimetra, ka qenë motori që e ka bërë Napolin të funksionojë, duke e shndërruar në makineri golash me aftësitë e tij të pasimeve si dhe vizionin në fushë.
I inspiruar nga Xavi Hernandez, Andres Iniesta e Luka Modriq, Lobotka ka kompletuar 94 për qind të pasimeve të tij këtë sezon në Serie A. Është përqindja më e lartë e secilit prej mesfushorëve të top-pesë ligave të Evropës. Ajo që e bën edhe më të veçantë Lobotkan janë pasimet precize prej më shumë se 30 metrave dhe dëshmi për këtë është se sllovaku ka kompletuar 88 për qind të pasimeve nga distanca. Sigurisht se Lobotka është ndihmuar nga aftësitë dribluese të Kvaratskhelias dhe aftësitë e shënimit të Osimhenit, për t’u shndërruar në mesfushor të rëndësishëm për Napolin.
Atëherë çka ka ndryshuar për një lojtar që pati telashe për të siguruar minuta të mjaftueshme me trajnerin e mëparshëm të Napolit, Gennaro Gattuso? Dy detaje duhet cekur: ardhja e Spallettit, i cili më herët kishte tentuar ta transferonte Lobotkan tek Interi, si dhe përgatitja e mirë fizike.
“Gjëja më e rëndësishme është besimi që e ndien nga trajneri”, pranon Lobotka. “Kur diçka shkon keq, Spalletti gjithmonë u ndihmon duke ua kthyer vetëbesimin. Kur e ndiej një gjë të tillë atëherë mund të shfaq cilësitë e mia në fushë”.
Kur Spalletti qëndron me këpucë futbolli në ndeshje të Napolit, Lobotka e ka bindjen se “trajneri dëshiron të futet në fushë për të na ndihmuar”.