Sport

Pasi fitoi Kupën e Federatës, Fer Volley synon trofe edhe më të mëdha

Volejboll

Në vitin 2019 u formua si klub. Në vitin 2021 fitoi trofeun e parë, ndërsa të dielën fitoi trofeun e dytë në historinë e shkurtër.

Por cilat janë synimet e ekipit të volejbollisteve Fer Volley nga Ferizaj? Përgjigjja është e shpejtë nga trajneri Edon Ibrahimi.

“Pa dyshim se synimet tona nuk përfundojnë këtu”, thotë Ibrahimi të dielën për KOHËN, pas triumfit në Kupën e Federatës.

Fer Volley në finale mposhti ekipin e volejbollit Skenderaj me 3:2 në sete. Finalja e këtij aktiviteti u zhvillua në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Finalja nisi me epërsi të Skenderajt, që fitoi dy setet e para. Të parin e fitoi 26:24, kurse të dytin 25:18. Por ekipi ferizajas përmbysi epërsinë e Skenderajt. E fitoi setin e tretë 25:19, ndërsa pas një loje dramatike barazoi rezultatin në setin e katërt duke e fituar me shifrat 26:24. Setin vendimtar, të pestin, e fitoi 15:10.

“Pasi fituam Kupën e Federatës në vitin 2021, është trofeu i dytë për ne. Por forma se si e fituam me përmbysje e bën edhe më të veçantë këtë trofe. Nuk besoj se ka ekip që ka arritur sukses më shpejtë se ne”, ka theksuar Ibrahimi.

Ai thotë se trofeu i dytë i fituar të dielën do të jetë shtysë për ekipin.

“Synimet tona janë të përmirësohemi vazhdimisht dhe pastaj të synojmë trofetë e mbetur si Liga Unike, titulli i kampionit dhe Kupa e Kosovës”, është shprehur Ibrahimi.

Ibrahimi është trajner nga dita e parë e themelimit të klubit. Ka pasur dy vjet pauzë për shkak të punës si trajner në Hungari dhe Sllovaki. Thotë se klubi është themeluar dhe funksionon mbi vlerat e ferplejit.

“Është shkurtesa e qytetit të Ferizajt, por klubi është themeluar në vlerat e ferplejit”, tregon Ibrahimi.

Fer Volley mbylli me sukses edhe stinorin vjeshtor të edicionit 2024/2025 në Superligë. Fitoi të gjitha 11 ndeshjet.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur pasi më në fund puna dhe mundi ynë po shpërblehen, pas një sezoni vjeshtor me 11 fitore radhazi kjo Kupë ishte e merituar dhe e mirëpritur”.

Ekipi nga Ferizaj në radhët e veta ka dy amerikanet, Ehize Omoghibo e Jada Stackhouse dhe brazilianen Ilisandra Klein.

Volejbollistja më e mirë e Kupës së Federatës u shpall Dhurata Sylejmani. Paraqitje të mirë treguan edhe lojtaret e tjera vendore.

Suksesi i së dielës sipas Ibrahimit është sinjal se ekipi mund të arrijë suksese të tjera.

“Fillimisht synimi ynë është Liga Unike, pasi ende nuk është fituar nga një ekip i Kosovës. Po ashtu, synimet tona janë që vitin e ardhshëm të marrim pjesë në garat evropiane, ku pa dyshim se fitojmë përvojë dhe pse jo nëse shorti na favorizon të synojmë edhe fitore”, ka thënë Ibrahimi.