Pasi angazhoi trajnerin Luis Enrique, Paris Saint-Germaini ka filluar ta forcojë ekipin për edicionin 2023/24, në të cilën po synon triumfin në Ligën e Kampionëve.
Të mërkurën Parisi e zyrtarizoi Enriquen në krye të ekipit, ndërsa të enjten prezantoi dy përforcimet e para. Mbrojtësi Milan Skriniar dhe sulmuesi i krahut, Marco Asensio, iu bashkuan Parisit falas, gjë e pazakontë kjo për një ekip që njihet për shpenzimet e mëdha që i bën për përforcime. Si Skriniar ashtu edhe Asensio u transferuan si lojtarë të lirë, pasi kontratat e tyre me klubet paraprake skaduan më 30 qershor.
Skriniar iu bashkua PSG-së nga Interi, ndërsa Asensio nga skuadra e Real Madridit. Derisa Asensio firmosi kontratë deri në vitin 2026 me Parisin, sllovaku Skriniar nënshkroi deri në verën e vitit 2028. 28-vjeçari Skriniar në prezantimin e tij e quajti Parisin si një prej klubeve më të mëdha në botë. Shtoi se ndihet i nderuar që në pesë vjetët e ardhshëm do të bartë fanellën e ekipit nga kryeqyteti i Francës.
“Gjithmonë ka presion kur i bashkohesh një ekipi të madh si Parisi, kështu që jam gati për një gjë të tillë pasi dua që së bashku të arrijmë synimet që kemi. Është nder i madh për mua që do të jem pjesë e një ekipi që është ndër më të mëdhenjtë në botë”, tha Skriniar.
Skriniar ishte ndër mbrojtësit më të vlerësuar në Serie A vitet e fundit, ndërsa Interit iu bashkua nga Sampdoria në vitin 2017. Te Sampdoria luajti vetëm një edicion, në të cilin u bë mbrojtësi më i ri që regjistroi të paktën 35 ndeshje në Serie A. Për Interin ai luajti pesë edicione, ku regjistroi 246 paraqitje dhe shënoi 10 gola në të gjitha garat. Ai fitoi titullin e kampionit me Interin në vitin 2021, ndërsa ka të fituara edhe dy kupa e po aq Superkupa të Italisë.
Asensio ka hiç më pak se 17 trofe të fituar me fanellën e Real Madridit. Ka fituar tri herë titullin e kampionit të Spanjës dhe tri herë Ligën e Kampionëve. Ai ka punuar me trajnerin Enrique te Përfaqësuesja e Spanjës dhe tha se është privilegj për të që ta ndihmojë PSG-në në arritjen e objektivave.
Edhe
Asensio afër rinovimit të kontratës
“Është privilegj të jesh pjesë e këtij klubi të madh. Mezi pres të bashkohem me shokët e mi të rinj të skuadrës dhe të punoj me ta për të arritur objektivat e mëdha që i kemi para vetes”, është shprehur Asensio.
Krerët e Parisit kanë qenë aktivë javët e fundit sa u përket përforcimeve, por ende nuk i kanë bërë zyrtarë edhe lojtarët e tjerë që synojnë t’i transferojnë. Pas Skriniarit dhe Asensios klubi pritet të zyrtarizojë edhe të tjerë. Trajneri Enrique ka kërkuar ta ketë të kompletuar ekipin kur t’ia fillojë përgatitjeve.
Enrique në postin e trajnerit te Parisi ka zëvendësuar francezin Christoph Galtier, që u shkarkua të mërkurën. Prej vitit 2011, Parisi ka qenë forcë dominuese në futbollin francez por i ka munguar suksesi në Ligën e Kampionëve. Përderisa Parisi po e kompleton ekipin për edicionin e ri, mbetet e paqartë e ardhmja e sulmuesit Kylian Mbappe. Ky i fundit ka njoftuar klubin se nuk do ta rinovojë kontratën që i skadon vitin e ardhshëm dhe gjasat janë të mëdha që Mbappe të shitet.