Kanë kaluar gati dy javë prej kur mijëra qytetarë të Mitrovicës festuan suksesin e klubit të basketbollit Trepça. Skuadra mitrovicase më 19 shkurt fitoi për herë të dytë rresht Kupën e Kosovës, ndërsa për herë të gjashtë gjithsej.
Trepça fillimisht Kupën e kishte fituar në vitin 1993. Më pas triumfoi në këtë garë në vitin 2000 e po ashtu në vitin 2004. Kupën mitrovicasit e festuan edhe në vitin 2012, kur për herë të fundit Trepça e fitoi titullin e kampionit.
“Xehetarët” e kanë lënë prapa suksesin në Kupë. Fokusin e kanë te sfidat e ardhshme. Te titulli i kampionit më konkretisht.
Te Trepça presin që në fund të edicionit të Superligës të dalin triumfues.
“Kemi edhe pesë ndeshje para vetes dhe po mundohemi të përfundojmë sa më lart në tabelë. Që nga dita e parë e ardhjes time në Mitrovicë u kam thënë lojtarëve se jemi këtu për t'u shpallur kampion. Ky është qëllimi jonë”, ka thënë trajneri turk i Trepçës, Engin Gençoglu, të enjten për KOHËN.
Trepça po ka përkrahje shumë të madhe nga i gjithë qyteti i Mitrovicës në vitet e fundit. Këtë e dëshmoi edhe festa pas fitimit të Kupës.
“Të mos më hidhërohet askush apo të bëhet nervoz me mua, por ne kemi shikuesit më të mirë, sidomos që kemi ‘Torcidën’ prapa. Është lojtar i gjashtë i joni. Po na mbështesin kudo që jemi, brenda dhe jashtë Mitrovicës. Po na japin një fuqi dhe ne po dëshirojmë t'i shpërblejmë në fund me një titull të kampionit”, është shprehur Gençoglu.
43-vjeçari u zgjodh trajner i Trepçës në janar. Ai vlerësohet për punën që po bënë në skuadrën mitrovicase.
“Kur më ka kontaktuar kryetari i klubit, Vullnet Sefaja, më ka thënë që nuk jemi bërë kampionë që 11 vjet dhe i ka marrë malli të bëhen kampionë. Dhe, unë kam ardhur për ta drejtuar Trepçën drejt titullit të kampionit”, është shprehur tekniku turk.
Gençoglu insiston se rivaliteti në Kosovë është i madh.
“Në Kosovë nuk ka as ekip të fortë e as të dobët. Të gjitha janë njësoj dhe nuk ka favorit para ndeshjes. Dhe, ne secilin ekip e shohim si rival të denjë, bëjmë përgatitje të njëjta si për çdo kundërshtar”, thotë Gençoglu.
Kapiteni Valdrin Haxhiu vlerëson se Trepça nuk është e kompletuar pa një triumf në kampionat.
“Prej ardhjes së kryesisë së re, pritjet janë rritur për trofe. Vitin e kaluar ishim afër për të dalë kampion. Sivjet kemi startuar mirë me dy Kupa të fituara dhe tashmë synimi i vetëm në klub është kthimi i titullit që na mungon tash e 11 vjet”, ka deklaruar Haxhiu.
Kapiteni i Trepçës thotë se në skuadër është kthyer vetëbesimi pas suksese në dy vjetët e fundit. Trepça vjet ishte nënkampione, ndërsa sivjet synon hapin tutje.
“Dëshira e madhe e sjell edhe presionin, por ne jemi të relaksuar, kemi atmosferë të mirë në klub, është kthyer vetëbesimi duke ditur se kemi nëntë fitore dhe asnjë humbje muajin e fundit. Janë rritur pritshmëritë dhe apetitet tona, prandaj jemi edhe më të relaksuar se vitin e kaluar. Po shpresojmë ta rikthejmë titullin në Mitrovicë”, ka shtuar Haxhiu.
Trepça është ndër klubet më të organizuara në vitet e fundit. Ka bërë goxha investime, ndërsa qëndron mirë si në aspektin organizativ ashtu edhe atë financiar.
Drejtori i KB Trepça, Izet Tahiri, tregon rreth anës organizative. Ai vlerëson kontributin që “Torcida” po e jep në rrugëtimin e Trepçës.
“Jemi krenarë që qyteti i Mitrovicës jeton me basketbollin dhe neve na shtyn kjo të punojmë më shumë. Pas riorganizimit, sukseset nuk kanë munguar. Kemi luajtur në 6 finale dhe tri prej tyre i kemi fituar. Për të dytin vit rresht fituam Kupën. Vitin e kaluar ishim në finale, sivjet synimet janë që të shkojmë në finale dhe të luftojmë për titull dhe pas 11 vjetësh ta kthejmë titullin në qytetin që e do shumë basketbollin”, ka thënë Tahiri.
Ai është i kënaqur me punën që bëhet në klub. Por, shton se mundet edhe më mirë.
“Secili prej nesh ka detyrat e veta, jemi staf i madh dhe secili kryen detyrat e veta. Kemi nevojë ende për përmirësim, por po mundohemi të jemi sa më profesionalë në këtë sport që po merremi tash e shumë vjet”, është shprehur Tahiri.
Trepça ka katër tituj të kampionit. Pas 23 ndeshjeve në Superligë, zë vendin e katërt me 37 pikë.