Trepça të enjten mbrëma (20:00) e luan ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. E pret Pejën në “Minatori” me synim për të kaluar në epërsi 2:1 në serinë finale. Trepçën nga stoli do ta drejtojë Ilir Selmani e jo trajneri i deritashëm, Engin Gençoglu.
Turku Gençoglu e kishte udhëhequr Trepçën drejt triumfit në Kupë e po ashtu drejt finales së plejofit. Por, plotësisht papritur, Gençoglu është ndarë me klubin mitrovicas. Trepça ka thënë se ndarja është bërë me marrëveshje të dyanshme, ndërsa Gençoglu ka hedhur topin te nënkryetari i klubit mitrovicas, Lindrit Misini.
Largimi i trajnerit gjatë serisë finale të plejofit ndodh rrallë. Edhe më rrallë një ditë para ndeshjes që i jep kahe garës për titull. Por te Trepça ka pasur disa episode dramatike këtë edicion dhe ky është vetëm i radhës.
Trepça përmes një postimi ka falënderuar Gençoglun.
“Trepça njofton se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Engin Gençoglu. Skuadrën deri në fund të plejofit e drejton Ilir Selmani, që deri më tani ishte në shtabin teknik. Klubi e falënderon Gençoglun për kontributin e dhënë në skuadrën tonë. Bashkë kemi fituar Kupën e Kosovës dhe kemi arritur në finale të plejofit. Të gjithë në klub janë të përkushtuar që skuadra ta shfaqë më të mirën në ndeshjen e nesërme ndaj Pejës”, thuhet në komunikatën e Trepçës.
Më herët të mërkurën Trepça nxori pa pritur në shitje biletat për ndeshjen me Pejën. Një veprim i tillë u bë për ta shmangur tollovinë e madhe. Biletat u shitën për pak minuta.
Trepça këtë edicion po ka përkrahje shumë të madhe të shikuesve. Ka fituar kupën dhe është në garë për titull, por po ashtu te ky klub ka pasur zhvillime të papritura.
Edicionin e nisi me trajnerin bullgar Lubomir Minchev, që edhe formoi skuadrën. Por pas rezultateve jo të mira dhe presionit të madh publik, Minchev dha dorëheqjen që në vjeshtë. Më pas erdhi trajneri nga Maqedonia e Veriut, Alek Jonçevski. Sërish rezultatet e synuara munguan dhe Gençoglu ishte trajneri i tretë. Ilir Selmani, që ishte në shtabin teknik të Gençoglut, bëhet kryetrajneri i katërt brenda një edicioni.
“Nuk mund të njoftojë më shumë. Ju lutemi thirreni Lindrit Misinin dhe bëjani të gjitha pyetjet”, ka thënë Gençoglu shkurt për KOHËN.
Misini është nënkryetar i klubit dhe bashkë me kryetarin Vullnet Sefaja prej më meritorëve për ngritjen e Trepçës.
Lindrit Misini, ish-futbollisti i Trepçës ’89, nuk ka folur për ndarjen me Gençoglun. Ka thënë se skuadra do ta fitojë titullin.
“Trepça është mbi të gjithë. Trepça është emër i madh. Trepça është klub dhe askush nuk është mbi të. Ne jemi kampionë me Ilir Selmanin. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë”, ka thënë Misini.
Gençoglu ishte figurë e njohur për sa e drejtoi Trepçën. Ka bërë edhe disa deklarata bombastike dhe shumë të përfolura. Dukej se kishte përkrahjen e madhe të shikuesve, për dallim nga Minchev e Jonçevski.
Por tani i takon së kaluarës. Trepça, që armën më të fortë e ka përkrahjen e zjarrtë të shikuesve, do të mundohet të mobilizohet dhe ta fitojë titullin që e pret gjatë. Shumë do të varet nga ndeshja e së enjtes në “Minatori”.