Te kampionia e Kosovës në futboll (femrat), EP-COM Hajvalia, kanë pranuar superioritetin e Benficas, pas humbjes 9:0 nga skuadra portugeze.
Benfica e Hajvalia janë takuar të enjten në mesditë në Enschede të Holandës, në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Kampionia e Portugalisë, Benfica, ishte favorite por, megjithatë, është shpresuar për më tepër rezistencë nga kampionia kosovare. Kjo megjithatë nuk ndodhi.
Portugezet shënuan për 1:0 në minutën e tetë, ndërsa vazhduan me gola në minutën e 15-të e të 43-të në pjesën e parë. Gjashtë gola të tjerë Benfica i shënoi në pjesën e dytë për fitoren shumë të lartë prej 9:0.
Klubi nga Hajvalia ka luajtur disa miqësore para udhëtimit për në Holandë, por nuk është që i shërbyen shumë. Rezultati e dëshmon këtë.
Tani Hajvalia luan për vend të tretë në grup, të dielën. Po,r nuk mund të avancojë tutje.
“Nuk mund të vlerësohet pozitive si paraqitje, duke marrë për bazë rezultatin. Pozitive megjithatë ishin momentet e shumta të mira të vajzave tona në fushë. E kam parë dëshirën e tyre për të luftuar deri në fund. Kishim disa raste të krijuara bukur nga skuadra jonë. Kishte guxim të vajzave për të qarkulluar topin e gjëra të tjera”, thotë Suada Jashari, trajnere në klubin Hajvalia.
Hajvalia i akishte dhënë dominimin Mitrovicës në kampionatin e Kosovës, duke fituar titullin edicionin e kaluar. Ndërkohë në përvojën e parë ndërkombëtare, ky klub i ri ka kuptuar se duhet shumë më tepër cilësi për të përballur sado pak skuadra me nivel nga Evropa.
“Golat i kemi pranuar disi në mënyrë naive. Por patjetër duhet pranuar dhe të jemi realistë që kundërshtar ishte jashtëzakonisht i fortë për ne. Benfica kishte kualitete të mëdha në ekip, profesionalizëm të nivelit të lartë, në të gjitha aspektet. Ishte vështirë për ne që të bëjmë diçka më shumë. Na mbetet të punojmë shumë, të përmirësohemi shumë dhe të mendojmë për ndeshjen e ardhshme që e kemi të dielën”, ka shtuar Suada Jashari, që si futbolliste ishte një prej më të suksesshmeve në vend. Ajo ka punuar si trajnere edhe te Mitrovica dhe më pas udhëhoqi Hajvalinë drejtë titullit të kampionit.
Benfica është klub i ri po ashtu. Është formuar vetëm në dhjetor të vitit 2017, si pjesë e gjigantit sportiv portugez me klub të njëjtë. Titullin e Portugalisë e ka fituar në dy vjetët e fundit, ndërsa ka fituar edhe trofe të tjerë.
“Ishte ndeshje në një drejtim. Lojtaret ishin të motivuara për këtë moment, ndërsa kjo u bë e qartë nga mënyra se si ato hynë në lojë. Këto janë gjithnjë ndeshje të komplikuara, marrë për bazë numrin e lojtareve të kundërshtarit në vijën e mbrojtjes, gjithnjë duke u munduar të mbulojnë hapësirat mes vijave dhe duke mos lënë mundësi për lojtaret tona. Me shumë kompetencë sulmuam nga krahët kur kundërshtari mundohej të mbyllte hapësirat. Jemi munduar të luajmë me atë që ka bërë kundërshtari. Kur është mbyllur nga brenda ne kemi luajtur nga jashtë. Kur rivalet luanin jashtë, ne sulmonim brenda. Dhe kështu u bë më e lehtë. Ishte një lojë e mirë për ekipin tonë, krijuam shumë raste shënimi. Lojtaret duhet të përgëzohen për mënyrën se si e kaluan këtë test”, ka theksuar trajnerja e Benficas, Filipa Patao.
Pjesë e turneut të tetë ndeshjet e të cilit po luhen në Enschede të Holandës janë edhe Twente vendase dhe Agarista Anenii Noi e Moldavisë. Me Agaristan moldave, EP-COM Hajvalia luan të dielën për vend të tretë. Ndërkohë Benfica dhe Twente luajnë për vendin e parë në grup, përkatësisht për avancim në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Edhe Twente ka shënuar fitore shumë të thellë ndaj Anenii Noi të enjten. Skuadra holandeze fitoi 13:0.