Sport

Futbollistet e Hajvalisë, të gatshme për Champions

Futbollistet e ekipit EP Com nga Hajvalia do të jenë të gatshme për Ligën e Kampionëve në sezonin e ri. Kështu, ka insistuar trajnerja Suada Jashari për KOHËN. Të premten, në Nyon të Zvicrës është tërhequr shorti për edicionin 2022/23 dhe ekipi nga Hajvalia ka mësuar kundërshtarin e parë. EP Com është përcaktuar të jetë pjesë e Grupit 8, ndeshjet e të cilit do të luhen në formë mini-turneu dhe sistem eliminimi. Pjesë e grupit të ekipit kosovar, janë edhe Benfica e Portugalisë, Tëente e Holandës dhe Agarista CSF e Moldavisë. Të gjitha ndeshjet do të luhen në Holandë, ku skuadra e Tëentes do të jetë mikpritëse. Ndeshjen gjysmëfinale të grupit, EP Com e luan kundër ekipit nga Portugalia, Benficas më 18 gusht. Në rast se e mposht ekipin portugez, atëherë ekipi kosovar në finale do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Tëentes dhe Agarista CSF. Ndërsa, fituesi i grupit do të avancojë në mesin e 32 skuadrave më të mira, të cilat gjithashtu do të përballen në raundin e dytë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve, që nis në muajin tetor. Në rast se nuk triumfon ndaj Benficas në gjysmëfinale, EP Com do të përballet me humbësin e gjysmëfinales tjetër për vendin e tretë në grup, duel ky që luhet më 21 gusht. Tek ekipi nga Hajvalia, kanë pranuar se shorti nuk është aspak i lehtë, por kanë insistuar se do të synojnë ta fitojnë miniturneun në Holandë.

“Grupi është shumë i vështirë dhe ndoshta na ka munguar pak fati në short. Kundërshtari i parë, Benfica ka përvojë më të gjatë se ne, sikurse edhe Tëente. Kështu që, ndoshta mund të them se jemi në grupin më të vështirë të mundshëm”, ka pranuar Jashari të premten. “Nuk do të jetë fare lehtë, por do të mundohemi të prezantohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Është vështirë, por besoj se do të jemi gati, pasi jemi maksimalisht të motivuar për Champions”.

EP Com është ekip që sezonin e fundit është inkuadruar në Ligën e Parë të femrave të Kosovës dhe menjëherë e ka fituar titullin e kampionit. Po ashtu, ka arritur edhe në finale të Kupës së Kosovës, por është mposhtur nga Mitrovica, ekip që katër edicionet e fundit është paraqitur në Champions dhe një herë pati arritur të avancojë nga faza e mini-turneut. Për ekipin EP Com, ky do të jetë debutim në arenën ndërkombëtare. Në fakt, ekipi i parë i femrave nga Kosova që është paraqitur në Champions është Hajvalia, ekip që tashmë nuk ekziston. Kjo skuadër u pat prezantuar për dy sezone rresht para gjashtë vjetësh. Megjithatë, për trajneren Jashari që në ekip punon së bashku me Suad Keçin, kjo nuk do të jetë hera e parë që do të paraqitet në Champions. Si trajnere, Jashari sezonin e kaluar e ka udhëhequr Mitrovicën ndërsa ka luajtur edhe si lojtare, jo vetëm me ekipin nga Kosova por edhe Vllazninë e Shkodrës.

“Kam luajtur në Champions si trajner edhe si lojtare, dhe besoj se do të jemi gati edhe tani me ekipin, i cili ka potencial, pasi është përzierje mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të reja. Për disa do të jetë hera e parë luajnë në këtë nivel elitar dhe është tejet emocionuese në përgjithësi”, është shprehur Jashari. “Kam besim të madh në ekipin edhe pse grupi nuk është aspak i lehtë. Mirëpo, ne do mundohemi të kemi një paraqitje sa më të mirë. Duhet pranuar që Benfica dhe Tëente janë favorite për shkak të përvojës, por nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi”.

Jashari ka bërë të ditur se përgatitjet për debutim në Evropë, do t’i nisin në fillim të muajit të ardhshëm. Në fakt, ekipi tashmë ka filluar të përforcohet edhe me lojtare për një përfaqësim sa më të denjë të futbollit kosovar. Pasi ka siguruar shërbimet e portieres së Kosovës, Djellza Mehmetit, ekipi nga Hajvalia është forcuar edhe në mbrojtje, duke sjellë në radhët e veta kanadezen Brooklyn Tidder.

“Tashmë kemi nisur me përforcime dhe do të shohim në vazhdim nëse do të mund të marrim edhe lojtare të tjera për t’u kompletuar në çdo aspekt për një përfaqësim sa më të mirë”, shtoi Jashari.