Dy herë kampionia e Portugalisë, Benfica, do të jetë kundërshtare e KFF Ep-Hajvalisë, që sivjet u shpall kampione për herë të parë në elitën e futbollit të Kosovës në konkurrencën e femrave.
Kjo u mësua të premten në shortin e tërhequr në Nyon të Zvicrës, ndërsa ndeshja do të zhvillohet më 18 gusht.
Do të jetë gjysmëfinalja e raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve në konkurrencën e femrave, pasi kjo fazë e garës mbahet në formë të miniturneut me katër ekipe.
Cilado skuadër që e fiton këtë ndeshje do të luajë në finale kundër fituesit të ndeshjes FC Twente – Agarista CSF Anenii Noii 2020, për ta kërkuar kalimin në fazën e dytë kualifikuese.
Benfica në sezonin e kaluar u fut në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa sivjet synon ta përsëritë të njëjtin sukses.
Por, nga kampi i Benficas thonë se nga tri skuadrat e tjera e njohin vetëm Twenten e Holandës. Skuadra tjetër, Agarista, është e Moldavisë.
“E njohim vetëm Twenten, kundërshtarin me të cilin u përballëm sezonin e kaluar në raundin e dytë. Do të hyjmë me ambicie në ndeshjen e parë kundër ekipit të panjohur, por objektivi është i qartë. Do të synojmë të kalojmë tutje dhe do të kemi finale të fortë më pas”, ka thënë të premten trajneri i Benficas, Luis Batista, për faqen zyrtare të klubit.
Edhe
Mitrovica në rundin e dytë kualifikues të Championsit
Ekipi portugez vitin e kaluar e eliminoi Twenten holandeze në dy ndeshje. Në takimin e parë në Holandë luajti baras 1:1, ndërsa në Portugali fitoi 4:0.
Fituesit e finaleve të raundit të parë, 11-të të rrugës së “Championsit” dhe katër të rrugës së ligave, avancojnë në raundin e dytë. Në këtë raund u bashkohen nëntë skuadrave të tjera që hyjnë direkt në atë fazë.
Ndeshjet e para të fazës së dytë luhen më 20 e 21 shtator, ndërsa ato kthyese më 28 e 29 të të njëjtit muaj.