Sport

Pas dorëheqjes, Brahimi “kërcënon” të largohet nga Kosova me boksierët e tij

Besim Brahimi, të shtunën mbrëma ka treguar dy arsye pse vendosi të japë dorëheqje nga posti i selektorit të Kosovës në boks. Arsyeja e parë, ishte mos pagesa, kurse si arsye e dytë ishte përzierja në punën e tij nga anëtarët e bordit. Brahimi, të dielën për KOHËN ka thënë se nëse Bordi dhe kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Enver Krasniqi nuk japin dorëheqje, ai do t’i udhëheqë boksierët e tij për ndonjë shtet tjetër. Thotë se ai dhe boksierët e tij, tashmë kanë ofertë ta përfaqësojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nëse nuk largohet ky bord dhe kryetari, mund të angazhohem bashkë me boksierët e mi për Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut. Kam oferta nga këto dy shtete”, tha ai.

Brahimi zbulon se përplasja me bordin dhe kryetarin e federatës, ka ardhur për shkak, siç thotë ai, tendencës për ndërhyrje.

“Kam pritur që do ta marr një pagë për angazhimin tim si selektor, ashtu siç ndodhë në gjithë botën. Më janë përzier në seleksionim, sidomos kryetari. Për mua ka qenë e papranueshme që dikush të më përzihet në punën dhe seleksionimin tim. Nuk është e drejtë me qenë pa pagesë. Që shtatë vjet kam qenë i angazhuar si selektor, njëherë i femrave dhe gati dy vjet si selektor i meshkujve. Të arriturat e mia si selektor te femrat dhe meshkujt tashmë dihen”, ka theksuar Brahimi.

Brahimi është trajner i klubit të boksit “Gollaku”. Është ky klubi më i suksesshëm i viteve të në Kosovë. Nën urdhrat e tij, janë vëllezërit Shpejtim e Bashkim Bajoku, Patriot Behrami dhe disa të tjerë, që përfaqësojnë Kosovën në ngjarjet e mëdha.

Shpejtim Bajoku suksesin më të madh e ka arritur në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Në Lojërat Mesdhetare, boksieri prishtinas fitoi medaljen e bronztë.

“Pas suksesit të Shpejtimit në Oran, Komiteti Olimpik i Kosovës si bursë për çdo muaj këtë vit më ka ndarë nga 300 euro. Por jo edhe Federata e Boksit e Kosovës”, ka deklaruar Brahimi.

Për largimin e tij nga posti i selektorit, Brahimi akuzat më të mëdha i ka drejtuar kah kryetari i federatës, Enver Krasniqi. KOHA ka tentuar të marr një reagim të Krasniqit, por ai nuk i është përgjigjur telefonatave. Ndërkohë, anëtari i Bordit, Afrim Majanci ka kundërshtuar akuzat e Brahimit.

“Nuk qëndron ajo që thotë Besimi. Bordi nuk i është përzier në punë. Të paktën flas për vete, jo. E kam përkrahur, prandaj jam ithtar që ai të tregoj me emra se kush janë ata që i janë përzier. Nëse i jam përzier unë, atëherë le të tregoj me emër e jo t’i përfshijë të tjerët. Nëse unë nuk i jam përzier, atëherë është mirë të mos më fus edhe mua në atë mes. Prandaj është mirë që ai të dalë me emra se kush, jo t’i përfshijë të gjithë”, ka thënë Majanci për KOHËN.

Në të vërtetë, pakënaqësitë në boks kanë qenë edhe në të kaluarën. Ka pasur akuza e kundërakuza për keqmenaxhim.