Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas debutimit me gol, Muja thotë se te Samsunspori ndihet si në shtëpi

Sulmuesi i krahut, Arbnor Muja, është shprehur i lumtur që është transferuar te Samsunspori. Futbollisti mitrovicas bëri lëvizje të befasishme, duke lënë kampionin e Belgjikës, Antwerpin, për skuadrën që po kërkon qëndrimin në Superligën e Turqisë, Samsunsporin.

Reprezentuesi 25-vjeçar i Shqipërisë më 8 shkurt luajti për Antwerpin në ndeshje për Kupë të Belgjikës, ndërsa të hënën, më 12 shkurt, debutoi në Superligën turke. U aktivizua në minutën e 69-të në ndeshjen e xhiros së 25-të të elitës turke, që Samsunspori e fitoi 2:0 ndaj Antalyasporit.

Muja shënoi golin e dytë, në minutën e 91-të. Realizoi me goditje nga zona, pasi u shërbye shumë bukur.

Fitorja ishte shumë e rëndësishme për Samsunsporin, që doli në vendin e 13-të me 29 pikë.

“E kemi ditur që kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë. Jam shumë i lumtur që kemi fituar. E kam ditur që një atmosferë e tillë na pret në stadium. Kemi tifozë të jashtëzakonshëm. Jam po ashtu shumë i lumtur që jam lojtar i Samsunsporit”, ka thënë Muja për mediat turke.

Me Antwerpin, futbollisti ofensiv ishte paraqitur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Tani do të luajë në elitën turke.

“Kam shënuar golin e parë në ndeshjen e parë dhe kjo më bëri shumë të lumtur. Jam kohë të shkurtër këtu, por po ndihem si në shtëpi. Bashkëlojtarët, stafi i klubit dhe trajnerët janë faktor i madh që më bëjnë të ndihem kështu. Do të punojmë shumë që të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka shtuar Muja.

Edhe Muja i “thyer” për mënyrën se si u largua nga Antwerpi Futboll Muja i “thyer” për mënyrën se si u largua nga Antwerpi

Në Superligën turke janë 20 skuadra. Katër prej tyre largohen nga elita në fund të edicionit. Samsunspori ka dy pikë më shumë se skuadra e pozitës së 17-të, që në fund dërgon në kategorinë e dytë. Gara për ekzistencë është shumë e fortë dhe shumë e hapur.

Muja ishte transferuar te skuadra belge, Antwerp, në verën e vitit 2022. Në Belgjikë fitoi gjithë trofetë. Por befasisht, javën e kaluar vendosi të transferohet te Samsunspori, që për trajner e ka gjermanin Markus Gisdol. Pritej që ai të transferohej së shpejti në ndonjë top-ligë evropiane, por tani është në Turqi.

Edicionin e kaluar Samsunspori fitoi titullin në ligën e parë turke dhe kështu u promovua në Superligë, ku synon të qëndrojë edhe për edicionin e ardhshëm. Në skuadrën turke presin shumë nga Muja.