Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas arritjes në finale të Evropianit, Anglia kërkon ta fitojë Botërorin e Katarit

Sulmuesi i krahut, Raheem Sterling, ka insistuar se Përfaqësuesja e Anglisë synon ta shkruajë historinë duke triumfuar në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, pas humbjes në finalen e Kampionatit Evropian që u mbajt këtë vit.

Anglia, që ishte në kërkim të trofeut të parë të madh që nga viti 1966 kur e fitoi Botërorin, në “Euro 2020” u mposht nga Italia pas penalltive në ndeshjen e luajtur në muajin korrik në stadiumin “Wembley” në Londër.

Sa i përket paraqitjes në Botërorin e vitit të ardhshëm, Anglia pothuajse është e kualifikuar. I prin Grupit I me 16 pikë të mbledhura pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.

“Jemi rritur shumë si ekip vitet e fundit dhe pas humbjes në finalen e Evropianit tani duam ta shkruajmë historinë dhe ta fitojmë Botërorin e vitit të ardhshëm. Mendoj se ky edhe ishte mesazhi i trajnerit Gareth Southgate pas disfatës zhgënjyese në finalen e Evropianit nga Italia”, ka pranuar Sterlingu. “Kemi ekip të mirë dhe jam optimist se do të triumfojmë vitin e ardhshëm”.

Prejse Southgate e mori drejtimin e ekipit në vitin 2016, Anglia arriti edhe në gjysmëfinale të Botërorit “Rusia 2018” dhe është e pamposhtur në kualifikimet e këtij turneu, që do të mbahet në fund të vitit të ardhshëm.

“Kur Southgate erdhi, ai të gjithëve na i bëri të qarta synimet e tij. Ai tha se donte që Anglia të luftonte në të gjitha frontet, të sfidonte favoritët, si në Evropian, ashtu edhe në Botëror. Mendoj se Anglia tani e ka këtë mundësi pasi llogaritet në mesin e përfaqësueseve të forta”, shtoi Sterlingu. “Ne kemi punuar shumë në këtë aspekt dhe në Botëror do të futemi maksimalisht të përgatitur dhe të motivuar për ta fituar këtë trofe për herë të parë pas një pritjeje të gjatë. Mendoj se edhe qasja e publikut dhe mediave ka ndryshuar ndaj nesh viteve të fundit pasi të gjithë besojnë në suksesin tonë”.

Edhe Southgate mbetet pjesë e Anglisë vetëm nëse fiton Evropianin Sport Southgate mbetet pjesë e Anglisë vetëm nëse fiton Evropianin

Në fakt, Anglia mund ta konfirmojë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror “Katari 2022” këtë muaj, me fitore eventuale ndaj Andorrës dhe Hungarisë. Të shtunën Anglia luan në udhëtim ndaj Andorrës, kurse tri ditë më vonë do të përballet me Hungarinë. Si Andorrën, ashtu edhe Hungarinë, Anglia muajin e shkuar i mposhti me rezultatin identik, 4:0.

“Ne duam t’i fitojmë këto dy ndeshje dhe pastaj të përgatitemi vetëm për paraqitje në Botëror, pasi do të jemi më të qetë pas kualifikimit. Jam i bindur se këto eliminatore do t’i mbyllim pa humbje, pavarësisht që nuk e kemi aspak grupin e lehtë. Për ne është e rëndësishme që në Botëror të shkojmë me një formë të tillë”, u shpreh Sterling.

Për ndeshjet e këtij muaji, Anglisë i mungon mesfushori Kalvin Phillips për shkak të lëndimit. Përzgjedhësi Southgate e ka zëvendësuar atë me kapitenin e Southamptonit, James Ward-Prowsen.