Sport

Grupi B: Anglia gati për testin e madh, por dyshimet ndaj saj vazhdojnë

Gjysmëfinaliste e Kampionatit Botëror të vitit 2018. Finaliste e Kampionatit Evropian 2020, që u mbajt vitin e shkuar. Përfaqësuesja e Anglisë së fundi lëvizi në drejtimin e duhur në turnetë e mëdhenj të futbollit, pasi për dekada nuk ka pasur paraqitje të mira.

Kështu që Anglia duket se më në fund mund të triumfojë në Botëror për herë të parë që nga viti i largët 1966. Megjithatë rezultatet e fundit lënë dyshime se vështirë që një sukses i tillë mund të arrihet në Katar. Ekipi i përzgjedhësit Gareth Southgate është në një seri prej gjashtë ndeshjeve pa fitore, e cila është më e gjata për Anglinë në prag të një turneu të madh. Disa prej lojtarëve janë krejtësisht jashtë formës apo nuk luajnë farë nëpër klubet e tyre. Pozitat e caktuara – qendra e mbrojtjes, krahu i majtë i mbrojtjes, qendra e mesfushës –vuajnë për mungesë të cilësisë. Gjithashtu ka dyshime edhe për aftësinë taktike të Southgatet, veçanërisht në ndeshjet e mëdha.

Ajo që ka Southgate dhe ekipi i tij në prag të Botërorit është përvoja e fundit për të shkuar larg në turnetë e mëdhenj. Për dallim prej mediave dhe tifozëve që janë nxehur para Botërorit, sulmuesi Raheem Sterling thotë se është e rëndësishme që lojtarët ta mbajnë kokën të qetë dhe mos të preokupohen me asgjë.

“Ne jemi gjithmonë nën presion për të fituar dhe nuk mendoj se duhet të krijohet panik për shkak se kemi rënë paksa nga forma kohët e fundit”, ka thënë Sterling. “Tani kemi mundësi të madhe dhe duhet të shfrytëzojmë këtë moment për të treguar potencialin tonë. Pra, të dëshmojmë se sërish mund të shkojmë larg”.

E ardhmja e Southgatet

Mediat angleze mund të luajnë një rol të madh nëse trajneri i Anglisë mbetet në pozicionin e tij, diçka që Southgate e pranoi muajin e kaluar. Dhe mbështetja për Southgaten duket se po lëkundet para Kupës së Botës.

“Cikli i luftës me mediat - ne jemi diku në mes të kësaj”, tha ai. “Është një përvojë që e dija se në një moment ndoshta do të vinte me këtë punë që kam”.

Southgate duket se po paguan çmimin për taktikat e tij të perceptuara pragmatike dhe për faktin se nuk ka qenë kurrë trajner i një klubi me reputacion.

Kjo do të thotë që nëse Anglia dështon të dalë nga grupi i saj ose eliminohet në 1/8 e finales apo edhe në çerekfinale, presioni mund të rritet ndaj Southgatet aq shumë sa ai mund të zgjedhë të largohet pas gjashtë vjetësh në krye të ekipit.

“Sigurisht që ne e kuptojmë se si ndryshon disponimi me rezultatet dhe ai ka ndryshuar tashmë”, tha Southgate. “Unë jam realist për këtë dhe do të gjykohem për atë që do ta bëjmë në Katar”.

Rrëmuja me Maguiren

Lojtari i Anglisë që ka të ngjarë të jetë nën vëzhgimin më të madh do të jetë Harry Maguire – nëse ai është ende në ekip deri në Kupën e Botës. Qendërmbrojtësi është bërë shënjestër e kritikave në rritje, pas gabimeve të rënda për Anglinë dhe në nivel klubi, ku ai tashmë ka humbur vendin e titullarit te Manchester Unitedi. Maguire zakonisht ka luajtur më mirë për Anglinë sesa për Unitedin dhe Southgate qëndroi pranë qendërmbrojtësit për ndeshjet e fundit. Southgate tha se situata mund të ndryshojë nëse Maguire nuk arrin të rifitojë vendin e tij në United para Kupës së Botës. Mund të jetë basti më i madh i Southgate në Katar duke qenë se nuk ka shumë alternativa të nivelit të lartë në qendër të mbrojtjes. Insistimi për të luajtur me një Maguire jashtë formës mund të dëmtojë shanset e Anglisë dhe nga ana tjetër të rrezikojë të ardhmen e Southgatet si trajner.

“Në këto momente ne duhet të mbështesim lojtarët tanë më të mirë dhe më me përvojë”, tha Southgate. “Përveç nëse jemi në një situatë ku është pothuajse e paqëndrueshme”.

Kontrolli i mesfushës

Për vite me radhë problemi i madh i Anglisë në ndeshjet e mëdha në turnetë e mëdhenj ka qenë mungesa e kontrollit në mesfushë. Çështja nuk duket e zgjidhur as për në Katar. Për këtë Kupë Bote do të jenë Declan Rice dhe Jude Bellingham si dy mesfushorë, me Kalvin Phillipsin që nuk ka gjasa të përfshihet për shkak të lëndimit. Rice dhe Bellingham kanë pikat e tyre të forta - i pari ka energji të pakufishme, i dyti është një nga lojtarët e rinj më të talentuar në Evropë - por udhëheqja e ekipit në një ndeshje ndërkombëtare të nivelit të lartë mund të jetë përtej aftësisë së tyre në këtë fazë. Anglisë i mungonte ai kontroll në mesfushë kur humbi epërsinë e hershme kundër Kroacisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në “Rusia 2018” dhe kundër Italisë në finalen e “Euro 2020”.

Harry Kane ishte golashënuesi më i mirë në Botërorin e fundit, me gjashtë gola dhe shtoi katër të tjerë në Evropian. Nëse vazhdon kështu ai do të jetë golashënuesi më i mirë i Anglisë deri në përfundimin e Kupës së Botës. Sulmuesi i Tottenhamit ka 51 gola për Anglinë, dy më pak se Wayne Rooney.