Sulmuesi Andi Zeqiri pritet të jetë përforcimi më i ri i skuadrës nga Serie A, Parma. Zeqiri do të prezantohet gjatë ditëve në vijim te klubi italian.
Mediumet italiane kanë raportuar të enjten se Parma tashmë ka arritur marrëveshje për transferimin e Zeqirit nga Lausanne. Parma në fakt është pajtuar të paguajë klauzolën e lirimit të tij në vlerë prej tre milionë eurosh, transmeton KOHA.
“Andi Zeqiri do të vazhdojë karrierën te Parma pasi ekipi nga Serie A është pajtuar të paguajë klauzolën e lirimit të tij. Zeqiri te Parma shihet si lojtar i së ardhmes”, ka shkruar “Tuttomercatoweb”.
Për të siguruar kartonin e Zeqirit, thuhet se Parma ka mposhtur konkurrencën e fortë që e ka pasur nga Marseille, Brightoni, Udinese e Verona.
Zeqiri, 21-vjeçar, ka kontratë me Lausannen deri në vitin e ardhshëm, kurse edicionin e shkuar ka shkëlqyer duke shënuar 22 gola dhe asistuar dhjetë herë në 37 paraqitje në të gjitha garat. Lausanne këtë edicion është kthyer në Superligën e Zvicrës dhe Zeqiri ka një ndeshje të luajtur deri më tash. Zeqiri është pjesë e Përfaqësueses U21 të Zvicrës për të cilën ka realizuar gjashtë gola në shtatë paraqitje.