Sport

Parisit i duhet fitorja në Dortmund për të mbetur në Champions

Trajneri i Borussia Dortmundit, Edin Terziq, tha të martën se skuadra e tij duhet të jetë e guximshme kundër Paris Saint-Germainit, që rrezikon të eliminohet nga Liga e Kampionëve në fazën e grupeve.

PSG-ja duhet të fitojë në Dortmund të mërkurën për të siguruar kalimin në fazën nokaut së bashku me skuadrën gjermane, e cila tashmë është kualifikuar. Ndeshja Dortmund – PSG i takon Grupit F dhe zhvillohet prej orës 21:00.

Nëse Parisi barazon apo humb, atëherë kampionit të Francës do t’i duhet patjetër që Newcastle dhe Milani të ndajnë pikët në ndeshjen tjetër të grupit për të shmangur eliminimin e hershëm.

Dortmundi udhëheq me 10 pikë. Parisi është i dyti me shtatë pikë, ndërsa nga pesë i kanë Newcastle dhe Milani.

“Parisienët e dinë se kanë nevojë për fitore, por ata e dinë që ne duam gjithashtu fitoren”, tha trajneri i Dortmundit, Terziq.

“Ne duhet të jemi të guximshëm dhe ta fitojmë këtë ndeshje, pasi nëse përfundojmë të parët në grup do të kemi kundërshtarë më të lehtë në fazën tjetër”.

PSG-ja është në krye të Ligue 1 pasi ka fituar tetë ndeshjet e fundit, por skuadra e Luis Enriques ka humbur të dy ndeshjet që i ka luajtur në udhëtim në Champions këtë edicion. Dortmundi është i pesti në Bundesligë pas vetëm një fitoreje në gjashtë ndeshjet e fundit, por ka impresionuar në Evropë duke u kualifikuar nga një grup i vështirë dhe atë një xhiro pa përfunduar faza e grupeve.

Dortmundi do të avancojë në 1/8 e finales si fitues i grupit nëse e shmang humbjen ndaj Parisit.

PSG-ja eliminoi Dortmundin në Champions në vitin 2020 dhe gjermanët duan t’u hakmerren francezëve për këtë. Trajneri i Parisit, Enrique, e ka këtë parasysh situatën por insiston se ekipi i tij nuk ka tjetër opsion veç fitores.

“Ne kemi shënuar gola në secilën ndeshje të Championsit këtë edicion. Kështu që edhe ndaj Dortmundit duam të shënojmë gola, por edhe ta fitojmë ndeshjen. Duhet të bëjmë një lojë të përkryer dhe të përfundojmë të parët në grup. Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo ne duhet t’i përmbahemi planit dhe të bëjmë të pamundurën për ta fituar këtë ndeshje”, ka paralajmëruar Enrique.

Kalimin në fazën nokaut të Championsit nga grupi i vdekjes po e kërkojnë edhe Newcastle e Milani. Të dyja skuadrat synojnë fitoren në duelin “St. James Park” por në të njëjtën kohë do të shpresojnë në barazimin apo humbjen e Parisit në Dortmundi, pasi vetëm në këtë mënyrë të mund ta vazhdojnë aventurën në Champions.

Humbja e Newcastlet apo Milanit, do të thoshte eliminim nga garat evropiane pasi nuk garanton as pozitën e tretë në grup që dërgon në Ligën e Evropës.

Situatë interesante është edhe në Grupin H, në të cilin Barcelona tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën nokaut dhe ndeshjen e fundit e luan në udhëtim tek Antwerpi, ekip që ka pesë humbje në po aq ndeshje të luajtura. Porto dhe Shakhtar Donetsku do të përballen në ndeshjen që përcakton se cili ekip do të vazhdoj rrugëtimin në Champions e cili në Ligën e Evropës. Aktualisht Porto është e dyta në tabelë me nëntë pikë, sa i ka edhe skuadra e Shakhtarit që renditet në pozitën e tretë. Ndeshja luhet në Portugali dhe nis në orën 21:00, sikurse ajo në Belgjikë ndërmjet Antwerpit dhe Barcelonës.

Nga ora 21:00, do të luhen edhe dy ndeshjet e Grupit E, në të cilin nuk është vendosur pozita e parë në grup. Atletico Madridi është lider me 11 pikë dhe luan në shtëpi kundër Lazios së vendit të dytë, që ka një pikë më pak. Këto skuadra do të paraqiten në fazën tjetër të Championsit, ndërsa Feyenoordi do të vazhdojë garat në Ligën e Evropës. Feyenoordi që është i treti në grup me gjashtë pikë, është mysafir i Celticut që ka vetëm një pikë.

Kalimin në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve e kanë siguruar edhe Manchester City e Leipzigu, që janë pjesë e grupit G. Pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, kampioni në fuqi i Evropës, City është lider me dhe 15 pikë dhe ka siguruar vendin e parë. Leipzigu ka tubuar nëntë pikë dhe është i dyti. City është mysafir i Cërvena Zvezdës kurse Leipzigu e pret në shtëpi skuadrën e Young Boysit. Të dyja ndeshjet e këtij grupi, startojnë prej orës 18:45.

E mërkurë

Grupi E

Atl. Madrid – Lazio (21:00)

Celtic – Feyenoord (21:00)

1. Atl. Madrid 5 11

2. Lazio 5 10

3. Feyenoord 5 6

4. Celtic 5 1


Grupi F

Borussia D. – PSG (21:00)

Newcastle – Milan (21:00)

Borussia D. 5 10

2. PSG 5 7

3. Newcastle 5 5

4. Milan 5 5


Grupi G

C. Zvezda – Man. City (18:45)

Leipzig – Y. Boys (18:45)

1. Man. City 5 15

2. Leipzig 5 9

3. Y. Boys 5 4

4. C. Zvezda 5 1


Grupi H

Porto – Shakhtar (21:00)

Antwerp – Barcelona (21:00)

1. Barcelona 5 12

2. Porto 5 9

3. Shakhtar 5 9

4. Antwerp 5 0