Paris Saint-Germaini është i vendosur për t’i siguruar shërbimet e mbrojtësit Ronald Araujo për sezonin e ardhshëm. “FootMercato” raporton të hënën se Parisi tashmë i ka bërë ofertë Barcelonës për mbrojtësin nga Uruguai. Mësohet se Parisi ka ofruar 90 milionë euro për ta bindur Barcelonën në lirimin e tij në verë.
23-vjeçari te PSG-ja po shihet si zëvendësim ideal për Sergio Ramosin, të cilit nuk do t’i vazhdohet kontrata pas sezonit aktual.
Araujo ka regjistruar 19 paraqitje këtë sezon për Barcelonën dhe është ndër mbrojtësit më të vlerësuar në La Liga. Ai ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2026, ndërsa ka regjistruar edhe një gol e një asistim për ekipin spanjoll këtë sezon.