Sport

Paqarada: Fitorja ndaj Andorrës ia rrit vlerën pikës në Izrael

Mbrojtësi i krahut, Leart Paqarada, thotë se Kosova duhet të pajtohet edhe me një pikë të fituar të shtunën ndaj Izraelit në Tel-Aviv, ndonëse në fund të ndeshjes Milot Rashica lëshoi rast të artë. Rashica gjuajti fort nga afërsia, por topi shkoi mbi portën e izraelitëve në minutën e 94-t.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 1:1. Ishte ndeshja hapëse e ciklit kualifikues të “Euro 2024”.

“Më vjen keq që nuk fituam, sidomos me rastin e fundit në ndeshje, mirëpo Izraeli ka pasur raste në pjesën e parë, kështu që duhet të jemi të kënaqur edhe me një pikë. Miloti ishte i pafat në atë moment, por ai bëri një paraqitje fantastike”, ka thënë Paqarada të dielën për KOHËN.

Majtaku luajti deri në fund të takimit. Për mbrojtësin e krahut ishte paraqitja e 22-të me fanellën e Kosovës. Ndeshjen e 22-të Paqarada e zhvilloi pas pauzës dyvjeçare. Paraqitjen e fundit me “Dardanët”, Paqarada e pati në ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë, të cilën Kosova e fitoi 4:0, më 24 mars të vitit 2021.

Pas asaj ndeshjeje, Paqarada nëpërmjet një postimi njoftoi se nuk do të jetë pjesë e Kosovës përderisa në krye të ekipit të mbetet trajneri nga Zvicra, Bernard Challandes. Selektor i ri i Kosovës, francezi Alain Giresse, vendosi t’i bëj ftesë në shtatorin e vitit të shkuar. Por shkaku i lëndimit nuk arriti të bashkohet me ekipin.

Mbrojtësi i St. Paulit pranon se kishte vështirësi për t’u përshtatur në fillim të ndeshjes. Por thotë se më vonë hyri në ritmin e lojës së “Dardanëve”. Ai pret që edhe në ndeshjen ndaj Andorrës të paraqitet nga minuta e parë.

“Për mua ishte ndjenjë e veçantë të luaj pas gati dy vjetësh. Në fillim të ndeshjes më duhej kohë për të fituar vetëbesim. Mirëpo më pas fitova vetëbesim dhe besoj që nëse e fitoj rastin të luaj rregullisht, do të tregoj që kam kualitetin ta ndihmoj ekipin edhe më shumë. Por ishte ndeshja e parë pas një kohe të gjatë, ndeshje e vështirë, megjithatë jam i kënaqur me paraqitjen”, është shprehur Paqarada.

Kosova të martën e pret Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Paqarada dhe lojtarët e tjerë synojnë fitoren.

“Ka qenë një ndeshje e vështirë, sidomos në pjesën e parë kur Izraeli bëri shumë presion me publikun pas shpinës. Patëm fat në disa raste dhe u treguam efektivë para golit. Në pjesën e dytë besoj që edhe ne kemi pasur disa raste të shënojmë golin e dytë, sidomos në fund të lojës. Kundërshtari ishte i fortë dhe nëse e fitojmë lojën në shtëpi ndaj Andorrës, atëherë fitorja do t’ia rritë vlerën pikës në Izrael”, ka thënë Paqarada.

Kosova në Grupin I do të përballet edhe me Zvicrën, Rumaninë dhe Bjellorusinë.