Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Paqarada duhet të luftojë për vendin e titullarit

Leart Paqarada e ka humbur vendin e titullarit në krahun e majtë të mbrojtjes, shkaku i një lëndimi muskulor. Ai lëndim e ka lënë atë jashtë fushës së gjelbër nga mesi i muajit dhjetor, deri në mesin e muajit janar. Në vend të tij është duke luajtur 19-vjeçari Max Fingrafe.

Dhe nuk pritet që mbrojtësi i Kosovës të ketë rrugë të lehtë për t’u rikthyer në 11-shen e parë të Koelnit. Për këtë ka folur edhe trajneri Timo Schultz në konferencën për shtyp të enjten. “Ai duhet të luftojë për vendin e tij”, ka thënë trajneri Schultz, i cili ka punuar me Paqaradën gjatë kohës te St. Pauli.

“Ai u lëndua kur unë fillova punën këtu. Max e ka shfrytëzuar për mrekulli shansin me paraqitje të shkëlqyera në pozitën e tij. Ai është faktor shumë i rëndësishëm në lojën tonë”, ka theksuar Schultz.

Megjithatë, Schultz e ka lënë të hapur mundësinë që Fingrafe dhe Paqarada, të luajnë në formacionin e titullarëve së bashku.

“Mund të themi se Paqarada ka nisur të fitojë vetëbesimin nga seancat stërvitore dhe po punon mirë në aspektin fizik. Fingrafe pozitën natyrale e ka të mesfushorit qendror, pra mund të përdoret edhe në pozitë tjetër. Po e shikoj çdo mundësi”, deklaroi Schultz. 29-vjeçari ka 14 paraqitje në këtë sezon, 12-të në Bundesligë dhe dy të tjera në Kupën e Gjermanisë. Koelni në edicionin aktual po lufton për mbetje në elitën e futbollit gjerman. Aktualisht ka 16 pikë në vendin e 16-të pas 22 ndeshjeve të luajtura.