Futboll

Paqarada ka këputur ligamentin e gjurit

pacarada

Mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, ka këputur ligamentin kryqëzor të gjurit të majtë gjatë debutimit të tij te Heidenheimi kundër Borussia Dortmundit të shtunën. Paqarada u desh të zëvendësohej në minutën e shtatë, në humbjen 2:0 në shtëpi nga Dortmundi dhe mbeti në vendin e fundit në Bundesligë, pa pikë.

Mbrojtësi i Kosovës, do t’i nënshtrohet në ditët në vijim një ndërhyrje kirurgjikale dhe do të mungojë për disa muaj, shkruajnë mediume të ndryshme gjermane.

Trajneri i Heidenheimit, Frank Schmidt, ka thënë se lëndimi i Paqaradës, është lajm i rëndë për të gjithë.

“Lëndimi i Paqaradës na godet rëndë të gjithëve para së gjithash. Sigurisht atë personalisht më së shumti. Ne i urojmë shërim të suksesshëm dhe do ta mbështesim sa më mirë që mundemi. Për ne, është e rëndësishme të shohim përpara. Prandaj, në muajt në vijim, duhet të qëndrojmë më afër si ekip, të marrim përgjegjësi dhe të kompensojmë së bashku mungesën e Leart Paqaradës”, ka thënë trajneri Schimdt.

30-vjeçari iu bashkua Heidenheimit nga Kolni këtë verë. Me klubin e Bundesligës ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2027.