Sport

“Palestrës së re” në Istog po i rrëzohen muret dhe dritaret

Dera e hyrjes kryesore në palestrën në Istog është demoluar. Një pjesë e murit të jashtëm dhe dritaret e tualeteve janë rrëzuar. Dyert e ballkonit janë thyer, derisa kulmi i palestrës dhe po ashtu izolimi, janë dëmtuar. Në kulm së fundi është bërë një investim shtesë.

Përshkrimin e dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta të ditëve të fundit, e ka bërë Fikret Shatri, trajneri i klubit të basketbollit Istogu. Ai është edhe zyrtar i lartë në Departamentin e Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Image

Shatri të dielën ka publikuar video dhe fotografi për të paraqitur dëmin, që sipas tij, vlerësohet të shkojë deri në 70 mijë euro.

Në këtë objekt gjigant sportiv, që mund të vlerësohet ende i ri, ka pasur lëshime të shumta edhe kur është hapur, vetëm tre vjet më parë. Palestra në Istog kishte nisur të ndërtohej 19 vjet më parë. Gjendja e saj paraqet më së mirë dështimet e mëdha në ndërtimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, për të cilën janë investuar dhjetëra miliona euro.

“Situata është kaotike. Është e tmerrshme gjendja në palestër”, ka thënë Shatri për KOHËN, të dielën.

Ani pse nuk është bërë asnjëherë pranimi teknik i punëve, palestra ishte hapur për aktivitete të klubeve të Istogut. Palestrën e Istogut, disa nga shfrytëzuesit e saj e cilësojnë “projekt të dështuar”.

Shatri ka qenë i ashpër në reagime edhe kur palestra ishte lëshuar për shfrytëzim. Ai rregullisht ka bërë thirrje që organet e hetuesisë të nisin hetime për projektin. Atij i është thënë se nuk ka të gjetura për të nisur hetim.

Shatri vazhdon të drejtojë gishtin kah MKRS-ja dhe ish-drejtuesit e Komunës së Istogut.

“Dëmi mund të jetë 60-70 mijë euro. Kompania e tenderuar për vendosjen e një shtrese që ndalon pikjen nga kulmi, nuk e ka kryer siç duhet punën, sepse e ka ditur se ku është duke e vendosur, e ka ditur që Istogu është problematik për shkak të erërave. Ajo shtresë ka mbetur gjysmë në tokë dhe gjysma e varur në kulm”, ka thënë Shatri.

Ai ka insistuar se shumë dëme janë shkaktuar në palestër ditëve të fundit.

Image

“Dera e hyrjes kryesore është demoluar, dritaret e tualeteve bashkë me murin e jashtëm janë rrëzuar komplet, tri dyer të ballkonit të palestrës janë thyer tërësisht. Të gjitha xhamat e jashtëm janë thyer, ndërsa pritet thyerja e xhamave brenda palestrës për shkak të frymës që depërton në palestër. Shtesa e sipërme e kulmit dhe izolimi me stiropor është dëmtuar në masë të madhe”, ka përshkruar Shatri.

Shatri tregon se në palestër parketi ka nisur të kalbet. Nuk i ka shpëtuar edhe vërshimeve të fundit në vend.

“Një javë sa kemi pasur të reshura, uji ka depërtuar nga lart, jo nga poshtë. Ka qenë e pezulluar një javë puna në palestër. Kemi pasur edhe prishje të orës kryesore dhe është dashur që ta zhvendosim në një vend tjetër ku nuk depërton uji. E kanë paguar klubi i basketbollit dhe ai i hendbollit të femrave. Nga viti 2014 deri më 2020 fazën e dytë ose të tretë e ka tenderuar Komuna dhe legjislatura e kaluar, e kaluara jo e tashmja, tenderët i ka dhënë me të njohshëm. Janë keqpërdorur edhe nga punëkryesi dhe gjithsesi MKRS-ja”, ka akuzuar Shatri.

Palestrën e shfrytëzojnë klubet e hendbollit, basketbollit, pingpongut dhe karatesë. Pritet të formohen edhe klube të tjera. Për mbikëqyrje dhe mirëmbajtje përgjegjësinë e ka Komuna.