Sport

Palestrës së inauguruar në vitin 2019 i pikon kulmi

Fjalë të mëdha ishin thënë gjatë përurimit të palestrës “Mizair Isma” në Rahovec. Vlerësohej si njëra prej palestrave më të bukura në Kosovë. Vazhdon të vlerësohet e tillë.

“Kur hyra nuk e dita a jam në Amerikë a në Kosovë”, pati thënë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ceremonisë madhështore të përurimit, më 27 shkurt të vitit 2019.

Por ende pa u mbushur pesë vjet të plota prej hapjes së palestrës, ajo ka nisur të dëmtohet dhe jo me fajin e përgjegjësve të mirëmbajtjes. Puna për ndërtimin e palestrës kishte nisur 15 vjet para se ky objekt sportiv të hapej për rahovecasit. Dhe kjo nuk ka kaluar pa pasoja.

Kulmi i palestrës ka nisur të pikojë. Gjatë vizitës në palestër të bërë nga KOHA të enjten, shiheshin disa vende në parket ku kishte pikuar uji nga kulmi.

Palestra ishte përuruar me ndeshjet e “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll. Buxhetit të shtetit i kushtoi 3 milionë euro.

Drejtori për Kulturës, Rini dhe Sport i Komunës së Rahovecit, Afrim Dina, pranon se kulmi i palestrës ka nisur të dëmtohet e të pikojë. Ka treguar se vitin e ardhshëm do të ketë investime të reja në kulm.

“Në disa vende ka pasur pikje nga kulmi dhe jemi munduar të ndërmarrim masa, ku kemi bërë disa riparime. Mirëpo për vitin tjetër e kemi planifikuar edhe me plan të prokurimit që ta rregullojmë kulmin ashtu siç duhet. Prishja e kulmit ka ndodhur për shkak të erërave të forta. Pjesa e kulmit ka pasur disa vrima dhe nëpërmjet tyre ka rrjedhur uji brenda në palestër”, ka thënë Dina të dielën për KOHËN.

“Kulmi i palestrës i ka mbi dhjetë vjet që është vënë. Kur është bërë punimi i vrazhdë e kanë bërë edhe kulmin”.

Palestra ishte raportuar se i plotëson të gjitha kriteret e FIBA-s. Në të janë luajtur edhe ndeshje ndërkombëtare.

Rreth 2000 ulëse është kapaciteti i palestrës. Por pranimi teknik i punëve nuk është bërë ndonjëherë.

“Pranimi teknik i punëve në palestër nuk është bërë. Ne e mirëmbajmë palestrën nëpërmjet kompanive të cilat komuna i ka për mirëmbajtje të objekteve. Ne, DKRS-ja, me disa punëtorë që i kemi në bibliotekë dhe shtëpi të kulturës mundohemi që ta mirëmbajmë palestrën”, ka theksuar Dina.

Në fakt, palestra duket e pastër dhe e mbajtur mirë. Zhveshtoret dhe pjesa tjetër e objektit ishin në gjendje të mirë.

Palestra në Rahovec nuk është objekti i vetëm sportiv që ka probleme. Edhe në palestra të tjera të reja apo të rinovuara ka pasur gabime e lëshime të shumta në punime. Nuk kanë munguar edhe akuzat për keqpërdorim.

Gjendjen më të keqe e ka palestra në Istog. Ajo aktualisht nuk shfrytëzohet për ndeshje. Sa herë bie shi, mbushet me ujë.