Sport

E pabesueshme: Palestra e hapur në vitin 2020 bëhet plotësisht e pashfrytëzueshme

Hendbollistet e Istogut të dielën fituan Kupën e Kosovës. Të mërkurën e nisin garën për titull të kampionit. I kanë fituar të gjitha ndeshjet në pjesën e rregullt të kampionatit dhe janë vendase në ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit ndaj Kastriotit të Ferizajt.

Por Istogu nuk do të luajë në shtëpinë e tij, në palestrën e qytetit.

Do të duhej të ishte një palestër e re. Model për palestrat e tjera ndoshta. Është hapur vetëm në vitin 2020. Madje në vjeshtën e vitit 2020, vetëm dy vjet e gjysmë më parë. Megjithatë, palestra e qytetit në Istog tashmë është jashtë përdorimit. Zhvillimi i ndeshjeve në të është i pamundur.

{gallery}

Kështu, Istogu është detyruar që ndeshjen e së mërkurës ta organizojë në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Në këtë palestër me shumë mundësi do t’i luaj edhe ndeshjet e tjera të plejofit. Është favorit i madh për titull.

Në të vërtetë, palestra në Istog prej kur ka nisur të ndërtohet është tregim i mossuksesit, tregim i dështimit të madh. Ndërtimi i saj bëri rreth 15 vjet. U hap pa përfunduar të gjitha punët dhe mirëmbajtja e palestrës asnjëherë nuk ishte as për së afërmi ajo që duhet të jetë. Në të janë luajtur ndeshje ndërkombëtare, madje edhe të përfaqësueseve, por gjendja ka shkuar duke u keqësuar. Aq shumë është dëmtuar palestra sa tani nuk mund të luhen ndeshje.

“Gjendja në palestrën e sporteve në Istog është vërtet e rëndë. Pjesa më e madhe e çatisë është dëmtuar tërësisht dhe sa herë që ka reshje të shiut uji depërton brenda në objekt pa ndonjë pengesë. Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme gjatë këtyre muajve, është dëmtuar edhe një pjesë e madhe e parketit. Tani më edhe nëse nuk ka reshje është e vështirë të zhvillohet procesi stërvitor e të mos flasim për ndeshje. Pa ndonjë intervenim të shpejtë, pa përmirësim të gjendjes së parketit, është e pamundur të zhvillohen ndeshjet”, ka thënë trajneri i Istogut, Faruk Shala. Depërtimi i ujit në palestër megjithatë, nuk është problemi i vetëm, ndonëse shumë i madh.

“Ka edhe probleme të tjera, si me nyjat sanitare dhe kanalizimin. Kanalizimi tashmë është tërësisht jofunksional. Kjo gjendje e ka vështirësuar shumë funksionimin e klubit në periudhën më të rëndësishme kur duhet të sublimohet puna njëvjeçare, të arrihen objektivat për të cilët kemi punuar shumë”, ka theksuar Shala.

Ai thotë se stërvitjet e fundit dhe ndeshjet i kanë zhvilluar në palestra tjera.

“Ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të plejofit do t’i luajmë në Pejë, në pamundësi që të luajmë para tifozët tanë”, ka theksuar trajneri istogas.

Tek Istogu ndiejnë se nuk e kanë përkrahjen e duhur të strukturave komunale. U ka mbetur hatri që ende askush nga komuna nuk i ka uruar për Kupën e Kosovës, të fituar të dielën.

Istogu është bërë qendra kryesore e hendbollit të femrave në vend. KHF Istogu në vitet e fundit po dominon në kampionat dhe në kupë, ndërsa paraqitet rregullisht edhe në kupa evropiane.

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë të njoftuar për gjendjen katastrofale të palestrës në Istog. Për dëmtimin e rëndë të palestrës në Istog ditë më parë në kuvend ka folur edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

“Lajmi i mirë është që para pak ditësh me kryetarin e komunës së Istogut kemi nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancimin e rinovimit të palestrës në Istog. Vlera të cilën ata na kanë sjellë është 550 mijë euro. Ministria e Sportit 300 mijë, komuna 250 mijë. Mbi këtë marrëveshje, komuna merr përsipër hartimin e projektit të rinovimit dhe zhvillimin e të gjitha procedurave të prokurimit, mbikëqyrjes dhe përmbylljen e punimeve për rinovimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ministri Çeku.

Edhe në shumë prej palestrave të ndërtuara pas luftës, ka telashe të mëdha. Në pak prej tyre vlerësohet se mirëmbajtja është e duhura, ndërsa edhe punimet nuk janë bërë me kualitet.

Për infrastrukturën sportive në vend janë investuar miliona euro. Por gjendja vazhdon të jetë shumë e rëndë.

Istogaset kishin pritur gjatë për hapjen e palestrës në qytetin e tyre. Askush nuk ka besuar se dy vjet e gjysmë pas hapjes së palestrës, Istogu do të detyrohet sërish të bëjë kilometra për t’i luajtur ndeshjet si vendës.