Sulmuesi nigerian, Otto John, është liruar nga paraburgimi. Kjo është konfirmuar të enjten pasdite nga avokati Granit Curri. Sulmuesi 24-vjeçar ishte arrestuar në maj të këtij viti me dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një viktimë të trafikimit. Prej atëherë ishte në paraburgim.
Gjykata Supreme e Kosovës të enjten ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe ka liruar futbollistin. John menjëherë ka kaluar te Dukagjini i Klinës. Kësaj skuadre do t’i bashkohet në stërvitje. Në kohën kur ishte arrestuar, John ishte pjesë e Prishtinës. Ai në Kosovë ka luajtur edhe te Trepça ’89.
“Rasti ka shkuar deri në Gjykatën Supreme, që ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe ka liruar futbollistin John. Sigurisht, hetimet do të vazhdojnë, por ai është i lirë për të vazhduar aktivitetin sportiv”, ka thënë avokati Curri.