Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Omicroni nuk është problemi i vetëm në Kupën e Afrikës

Organizatorët e Kupës së Afrikës këmbëngulin se turneu do të fillojë siç është planifikuar, në Kamerun në ditët e para të janarit, pavarësisht se varianti Omicron i koronavirusit, që po përhapet me shpejtësi, ka shtuar shqetësimet për ngjarjen më të madhe të futbollit në këtë kontinent. Mes thashethemeve se Kupa e Kombeve Afrikane 2021, tashmë e vonuar, mund të shtyhet për herë të dytë për shkak të pandemisë së koronavirusit, apo edhe të zhvendoset në një vend jashtë Afrikës, Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF), tha në një njoftim se turneu do të hapet më 9 janar në stadiumin “Olembe” në Yaounde. Presidenti i CAF-it, Patrice Motsepe, është i bindur që kjo Kupë e Afrikës, me gjithë pasigurinë, do të jetë “një turne i jashtëzakonshëm”.

“Unë do të jem në Kamerun më 7 janar me gruan dhe fëmijët e mi për të qenë dëshmitar i këtij turneu të jashtëzakonshëm”, tha Motsepe, i cili u bë udhëheqës i futbollit afrikan këtë vit. “Në të gjithë botën ka gara me sfida, por ne duhet të jemi më optimistë”.

Kupa e parë afrikane në epokën e pandemisë do të vërë në provë premtimin e presidentit Motsepe për të përmirësuar cilësinë e turneve kontinentalë. Përkundër optimizmit të tij, ka të ngjarë që futbolli afrikan të kënaqet me një turne që shkon pa ndonjë problem serioz. Kishte një betejë edhe përpara virusit për të përgatitur shtetin e Afrikës Qendrore për të organizuar ngjarjen e parë të madhe sportive që nga viti 1972.

Kameruni fillimisht duhej të priste Kupën e Afrikës 2019, por u tërhoq nga ai turne për shkak të problemeve me përgatitjen e tij. Iu dha një shans i dytë në vitin 2021. Më pas ngjarja u shty një vit për shkak të pandemisë. Tani virusi ka detyruar Kamerunin, që ende po lufton me kohën për përgatitjen e stadiumeve, që të përballë sfidën shtesë për të siguruar që ngjarja sportive më e njohur e Afrikës të mos bëhet një super-përhapës i virusit.

Për t’i kënaqur autoritetet e Kamerunit, CAF-i ka rënë dakord që vetëm tifozët e vaksinuar plotësisht, të cilët gjithashtu kanë prova të testeve negative të COVID-19, të lejohen të marrin pjesë në ndeshje. Kompania farmaceutike me bazë në Filipine, “UNILAB”, është angazhuar për të mbikëqyrur testimin e lojtarëve, për të frenuar shpërthimin e virusit te 24 përfaqësueset pjesëmarrëse. Do të ketë testime në çdo stadium, terren stërvitor dhe çdo vend të turneut, tha CAF-i. Megjithatë, planet janë parë si të pamjaftueshme nga klubet evropiane, të cilat thonë se kanë frikë për mirëqenien e lojtarëve të tyre afrikanë dhe ngurrojnë t'i lejojnë ata të shkojnë në Kamerun.

Edhe Kameruni në kaos shkaku i legjendës Samuel Eto’o Futboll 7 muaj më parë Kameruni në kaos shkaku i legjendës Samuel Eto’o

Ndërsa, Kupa e Afrikës mund të mbijetojë pa tifozë, mungesa e superyjeve si e sulmuesve të Liverpoolit, Mohamed Salah e Sadio Mane, atij të Manchester Cityt, Riyad Mahrez, portierit të Chelseat, Edouard Mendy, dhe të tjerëve, do të ishte një fatkeqësi e madhe për turneun.

Kufizimet për tifozët ishin marrëveshje për Qeverinë e Kamerunit. Por, ajo do të lërë shumicën, ndoshta të gjitha 52 ndeshjet gjatë një muaji që të luhen në stadiume thuajse të zbrazëta. Më pak se 3 për qind e 26 milionë njerëzve të Kamerunit janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, që do të thotë se vetëm një numër i vogël do të lejohet të shijojë nga afër momentin më të madh sportiv të vendit të tyre që nga pritja e parë e Kupës së Kombeve Afrikane gjysmë shekulli më parë.

Vendet e afërta me Kamerunin, gjithashtu, kanë shkallë vaksinimi shumë më të ulët se 10 për qind, kështu që shumë tifozë nuk do të udhëtojnë.

Problemet shtrihen përtej virusit dhe tifozëve në stadiume, me Kamerunin që po bën të pamundurën për t’i pasur gati stadiumet. Stadiumi kryesor “Olembe”, i cili do të presë ndeshjen hapëse midis Kamerunit dhe Burkina Fasos dhe finalen më 6 shkurt, po kalon një rinovim prej 370 milionë dollarësh, por ende nuk është hapur zyrtarisht. Ishte aq shumë prapa planit muajin e kaluar sa CAF-i kërcënoi ta zhvendoste ndeshjen hapëse.

Edhe CAS-i më 8 tetor shqyrton ankesën e Senegalit për finalen e Kupës së Afrikës Futboll 1 d. më parë CAS-i më 8 tetor shqyrton ankesën e Senegalit për finalen e Kupës së Afrikës

“Do të ishte për të ardhur keq për komitetin organizativ, për CAF-in dhe për Kamerunin”, tha sekretari i përgjithshëm i CAF-it, Veron Mosengo-Omba, në një letër drejtuar Komitetit organizativ të Kamerunit.

Kameruni ka humbur afatet edhe në stadiume të tjera. Vendi ka gjithashtu një kryengritje të dhunshme në rajonin jugperëndimor, ku grupe rebele kanë luftuar për vite me radhë për të formuar një shtet të shkëputur pranë Limbes, një nga pesë qytetet pritëse të turneut. Muajin e kaluar një shpërthim në një kampus universitar plagosi 13 studentë, rreth dy kilometra larg nga një terren zyrtar stërvitor i Kupës së Afrikës.