Klubet kryesore të Evropës po kërcënojnë të mos i lirojnë lojtarët për Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON) që mbahet në fillim të vitit të ardhshëm në Kamerun për shkak të frikës rreth protokollit shëndetësor për Covid-19. Shoqata Evropiane e Klubeve (ECA), e cila përfaqëson klubet kryesore në të gjithë kontinentin, ia bëri të ditur shqetësimet e saj FIFA-s, në një letër që ia ka dërguar të mërkurën.
“Për sa u përket protokolleve në fuqi, për aq sa jemi në dijeni, CAF (Konfederata e Futbollit të Afrikës) nuk ka vënë ende në dispozicion një protokoll të përshtatshëm mjekësor dhe operacional për turneun AFCON, në mungesë të të cilit klubet nuk do të jenë në gjendje të lëshojnë lojtarët për turneun”, i tha ECA organit qeverisës botëror të futbollit.
Kupa e Kombeve të Afrikës, që ishte shtyrë vitin e kaluar për shkak të krizës shëndetësore, do të nisë në Kamerun më 9 janar dhe do të zgjasë deri më datën 6 shkurt. Shumë nga lojtarët kryesorë të Afrikës bëjnë karrierë nëpër klube në Evropë, duke përfshirë dyshen e Liverpoolit, Mohamed Salah e Sadio Mane, Riyad Mahrezin e Manchester Cityt, Achraf Hakimi dhe Idrissa Gueyen të Paris Saint-Germainit.
ECA ngriti gjithashtu shqetësime për rrezikun që lojtarët të mos jenë në dispozicion për periudha edhe më të gjata për shkak të rrezikut nga kufizimet e udhëtimit ose vendosjen e karantinës së detyrueshme, veçanërisht në lidhje me kërcënimin e shfaqur nga varianti Omicron i koronavirusit.
Sipas rregullave të FIFA-s, për lirimin e lojtarëve për detyra ndërkombëtare gjatë pandemisë klubet mund të mbajnë lojtarët nëse “ka një karantinë të detyrueshme të paktën pesë ditë pas mbërritjes” në vendin “ku duhet të zhvillohet një ndeshje e ekipit kombëtar” ose kur lojtari kthehet në klubin e tij.
Edhe
Kombëtaret afrikane duhet të luajnë edhe nëse mbesin vetëm me 11 lojtarë
Një takim i bordit ekzekutiv të ECA-s, i cili përfaqëson pothuajse 250 klube evropiane, insistoi se këto parime “duhen respektuar rreptësishtë”, sipas letrës dërguar zëvendëssekretarit të përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstroemit.
“Nëse nuk duhet të jetë kështu, lojtarët nuk duhet të lirohen për detyrë ndërkombëtare”, thuhet në letrën drejtuar FIFA-s.
Klubet mund të humbasin lojtarët që thirren për turneun me 24 ekipe që nga 27 dhjetori, gjë që është veçanërisht problematike për skuadrat me bazë në Angli, ku ka një orar të ngjeshur të ndeshjeve gjatë periudhës së pushimeve në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit.
“Për disa klube që pritet t’i lirojnë lojtarët, duke përfshirë klubet angleze dhe franceze, ndeshjet e ligës vendase do të zhvillohen deri në fillim të janarit dhe për këtë arsye mbivendosja e datave të lëshimit të lojtarëve për AFCON 2022 është e pamenaxhueshme”, shtoi ECA, kryetari i së cilës është Nasser al-Khelaifi i Katarit, njëkohësisht president i PSG-së.
Edhe
Futbolli do të përballet me virusin në Kupën e Afrikës, që është gati për të nisur
Sekretari i përgjithshëm i CAF-it, Veron Mosengo-Omba, është aktualisht në Kamerun duke mbikëqyrur përgatitjet përfundimtare për turneun e shtyrë. Organizata refuzoi të komentonte mbi kërcënimin e ECA-s, por në një njoftim në sajtin zyrtar të saj tha se Mosengo-Omba “u kërkoi të gjithëve të punonin gjatë gjithë kohës për të siguruar që gjithçka të ishte në vend për ndeshjen hapëse të turneut”.
Sidoqoftë, pandemia duket se përbën një kërcënim shumë më të madh për organizimin e suksesshëm të turneut sesa shqetësimet për gatishmërinë e vendit pritës. Përditësimi i CAF-it tha se presidenti i tij, Patrice Motsepe, kishte qenë në diskutime me qeverinë e Kamerunit “për qasjen sanitare dhe protokollet Covid-19”. Ndërkohë një zyrtar i lartë në Federatën e Futbollit të Kamerunit hodhi poshtë çdo sugjerim se turneu mund të anulohet.