Sport

Klubet angleze paralajmërojnë lojtarët që të kenë kujdes në Kupën e Afrikës

Liverpool

Përshkallëzimi i dhunës në Kamerun do të kërcënojë sigurinë e yjeve të Premier Leagues kur të fillojë Kupa e Afrikës (AFCON) muajin e ardhshëm, kanë paralajmëruar aktivistët e të drejtave të njeriut.

Turneu afrikan përfshin 24 ekipe nga i gjithë kontinenti dhe do të hapet më 9 janar, por tani ka thirrje që të shtyhet për shkak të konfliktit.

Ky turne pritet të përfshijë më shumë se 40 lojtarë nga kampionati anglez, përfshirë futbollistët, si: Thomas Partey, Nicolas Pepe dhe Mohamed Elneny (Arsenal), Trezeguet (Aston Villa), Edouard Mendy (Chelsea), Wilfried Zaha (Crystal Palace), Riyad Mahrez (Manchester City) dhe treshja e Liverpoolit: Mohamed Salah, Sadio Mane, Naby Keita. Pavarësisht frikës në rritje se ekipet dhe turneu mund të shënjestrohen në një konflikt gjithnjë më të ashpër dhe më të dhunshëm, nuk ka asnjë shenjë që ngjarja të shtyhet, apo edhe planet të ndryshojnë për të zvogëluar rrezikun.

Këtë javë, presidenti i Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), Patrice Motsepe, u takua me presidentin e Kamerunit, Paul Biya, dhe këmbënguli që turneu të vazhdonte siç ishte planifikuar. Sidoqoftë, organizatat e të drejtave të njeriut kanë thënë se besojnë se ekziston një rrezik real për lojtarët e stafin dhe turneu duhet të shtyhet, ose të paktën, ndeshjet të zhvendosen nga rajoni jugperëndimor, i cili konsiderohet më i rrezikshmi.

Dhuna u ndez për herë të parë katër vjet më parë mes grupeve separatiste në perëndim të vendit të Afrikës Qendrore, i njohur si “zona anglofone”, dhe Qeverisë së Kamerunit, kryesisht “frankofone”. Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se këtë vit ka pasur 80 bomba të shpërthyera në rajonin anglofon që nga janari dhe ka pasur shumë vdekje, duke përfshirë policë, ushtarë, civilë dhe një vajzë pesëvjeçare. Një zonë e madhe e Kamerunit jugperëndimor tani është nën një shtetrrethim gjatë natës. Edhe maskota e turneut, luani Mola, kishte veshur një jelek antiplumb në Kamerun, teksa vizitonte rajonin e konfliktuar javën e kaluar. Mola, që është një emër i këndshëm, që do të thotë mik, plak ose xhaxha, u shoqërua gjithashtu nga disa trupa të armatosur rëndë. Një nga gjashtë stadiumet e turneut, Limbe, është i vetmi që ndodhet në “zonën anglofone” të kontestuar, megjithëse dy të tjerë në Bafoussam dhe Douala janë të rrezikshëm në kufijtë e tij dhe ka frikë se mund të jenë gjithashtu në shënjestër. Me një kapacitet prej 20 mijë vendesh, në stadiumin në Limbe do të zhvillohen gjashtë ndeshje të fazës së grupeve. Ndër gjashtë skuadrat që do të luajnë në fazën e grupeve në Limbe, 250 kilometra larg kryeqytetit Yaounde, janë Mali, për të cilin pritet të luajnë Yves Bissouma i Brightonit dhe Moussa Djenepo i Southamptonit.

Megjithatë, qyteti është planifikuar gjithashtu për dy ndeshjet e raundit të 1/8 së finales, të cilat mund të shohin çdo të katërtat nga 24 vendet pjesëmarrëse, të detyruara të luajnë në pikën e konfliktit. Shoqata Evropiane e Klubeve i ka shkruar tashmë CAF-it, por kryesisht për të nënvizuar rreziqet e koronavirusit dhe kërcënimin për të bllokuar lirimin e lojtarëve. Megjithatë, ata që kanë njohuri për vendin sugjerojnë se konflikti dhe dhuna është një shqetësim shumë më i madh. Kërcënimet janë shfaqur gjerësisht në internet duke paralajmëruar autoritetet e Kamerunit që të mos luajnë ndeshje në perëndim të vendit, një zonë që separatistët e quajnë Ambazonia.

Dhe separatistët paralajmërojnë lojtarët që të mos vijnë. Aktivistët e të drejtave të njeriut këmbëngulin se kërcënimet nuk janë thjesht një goditje e fortë, ato janë reale dhe separatistët do të bëjnë gjithçka që munden për të shkelur sigurinë në stadiume, hotele dhe restorante për të rrëmbyer një lojtar. “Ata janë tepër seriozë”, tha një aktivist i të drejtave të njeriut, i cili nuk donte ta zbulonte emrin. “Ata e shohin këtë si një mundësi të vetme kur mediat botërore do të jenë në lagjen e tyre. Ata ngjallin terror dhe frikë. Dhe ata janë seriozë për të prishur turneun, sepse e dinë se do të sillte vëmendje. E gjithë kjo do të ishte e menaxhueshme nëse forcat qeveritare do të ishin kompetente, por nuk janë”. Në janar, stadiumi Limbe ishte në shënjestër gjatë kampionatit afrikan, një turne më i vogël që përfshin lojtarë nga ligat vendase të Afrikës. Automjetet janë hedhur në erë në afërsi të arenës. Pajisjet shpërthyese të improvizuara janë përdorur gjithnjë e më shumë gjatë vitit të kaluar, veçanërisht në dy muajt e fundit, pasi dhuna është rritur.

Më në perëndim, në qytetin Ekondo Tiki, persona të armatosur sulmuan një shkollë në nëntor duke vrarë tre nxënës dhe një mësues.

Pak më shumë se 70 kilometra nga Buea, pak jashtë zonës anglofone, ndodhet qyteti frëngjishtfolës i Doualas, ku stadiumi Japoma me kapacitet 50 mijë ulëse do të presë Bregun e Fildishtë në fazën e grupeve. Bregu i Fildishtë të enjten publikoi listën e lojtarëve: Eric Bailly (Man. Utd), Maxwel Cornet (Burnley), Wilfried Zaha (Crystal Palace), Willy Boly (Wolverhampton), Nicolas Pepe (Arsenal).

Rajoni veriperëndimor i Kamerunit, i cili kufizohet me jugperëndimin, është gjithashtu i pushtuar nga dhuna, me “Amnesty International” që dokumenton abuzime të tmerrshme nga separatistët dhe ushtria, duke përfshirë vrasjet, prerjet e kokave dhe shkatërrimin e shtëpive dhe të pronave. Pikërisht këtu, në qytetin veriperëndimor të Bamendas, luani Mola u fotografua me jelekun e tij antiplumb. Vetëm përtej një kufiri tjetër rajonal dhe vetëm 60 kilometra poshtë rrugës është stadiumi i tretë pritës në Bafoussam.

Stadiumi “Kouekong” me 20 mijë ulëse do të presë Sene[1]galin, skuadra që krenohet me yjet, si: Sadio Mane i Liverpoolit, Edouard Mendy i Chelseat, Cheikhou Kouyate i Crystal Palacet, Nampalys Mendy i Leicesterit dhe Ismaila Sarr i Watfordit. “Human Rights Watch ka dokumentuar shumë nga abuzimet në perëndim të Kamerunit, të cilat kanë çuar në eksodin e 700,000 njerëzve, të cilët ikën në vendet fqinje. Grupi ka shqetësime serioze për sigurinë e Kupës së Afrikës, veçanërisht në lidhje me Limben dhe beson se nuk duhet të luhen ndeshjet atje.

“Ne dokumentuam incidente dhune në rajonin jugperëndimor. Shteti i Kamerunit dhe CAF-i kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e turneut, stadiumeve, lojtarëve dhe zyrtarëve”, tha Ilaria Allegrozzi, një studiuese e lartë për “Human Rights Watch”, e cila është specializuar në Kamerun. “Nëse në shtetin jugperëndimor ka rrezik thelbësor, ato lojëra mund të zhvendosen në një vend tjetër, i cili është më i sigurt”. Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve, “Human Rights Watch” nuk e mbështet shtyrjen e mëtejshme të turneut. Në vitin 2019, Kameruni nuk ishte gati për të pritur këtë turne, i cili u zhvendos në Egjipt. U kthye në Kamerun në vitin 2021, por është vonuar nga vera për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Turneu është një festë e futbollit afrikan”, tha Allegrozzi. “Klubet evropiane dhe të tjerët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për të mësuar më shumë rreth vendit dhe situatës në rajonet anglofone”.