Futboll

Cilat klube të Premier Leagues “goditen” më së shumti nga Kupa e Afrikës

Salah - Egjipt

Sunderlandi ka qenë befasi në pjesën e deritashme të edicionit të Premier Leagues. Ky klub shpenzoi goxha para në verë, pas kthimit në elitën angleze, dhe mori shumë pikë në ndeshjet e deritashme. Zona e rrezikshme nuk ishte temë për Sunderlandin deri më tani.

Por plot shtatë lojtarë të Sunderlandit janë afrikanë dhe shkuarja e tyre në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON) mund ta godasë fuqishëm skuadrën. Gjashtë prej tyre janë ftuar për kampionatin që mbahet në Marok duke nisur nga 21 dhjetori.

Noah Sadiki është njëri prej tyre. Ai ka luajtur gati të gjitha ndeshjet e Sunderlandit. Është quajtur “Mini Kante” për shkak të hapësirës së madhe që ka mbuluar në fushë. Sadiki është përzgjedhur në skuadrën e Kongos së bashku me Arthur Masuakun. Por Masuakan i ka vetëm tri paraqitje në Premier League deri më tani. Mungesa e Reinildo Mandavas, i ftuar nga Mozambiku, po ashtu do të vërehet. Ai ka luajtur shumicën e ndeshjeve në Premier League.

Transferimi i verës, Bertrand Traoro, që së fundi e shënoi golin e parë për klubin, do të luajë për Burkina Fason në AFCON. Chemsdine Talbi, i ftuar nga Maroku, ka luajtur rregullisht për Sunderlandin. Habib Diarra ishte transferimi më i shtrenjtë i Sunderlandit, por mesfushori i Senegalit nuk ka luajtur që nga mesi i shtatorit për shkak të një lëndimi.

Edhe skuadrat e tjera angleze kanë lojtarë në Kupën Afrikane. Dhe kjo vazhdimisht bëhet temë në Angli. Largimi i lojtarëve në mesin e edicionit godet jo pak skuadra të caktuara.

Burnley prezantohet me tre lojtarë: Axel Tuanzebe, Lyle Foster e Hannibal Mejbri.

Tre lojtarë do t’i mungojnë për javë të tëra edhe Fulhamit: Alex Iwobi, Samuel Chukwueze dhe Calvin Bassey.

Bryan Mbeumo, Amad dhe Noussair Mazraoui janë lojtarët e Manchester Unitedit që do të paraqiten në kampionatin afrikan.

Omar Marmoush e Rayan Ait-Nouri janë lojtarët e Manchester Cityt në Kupën e Afrikës. Marmoush mund të ishte mungesë e madhe për Cityn. Por ai mungoi në gjashtë xhirot e para për shkak të një lëndimi. Dhe për shkak të opsioneve të shumta në sulm, pas kthimit ai ishte më shumë zëvendësues. Pep Guardiola nuk i dha shumë hapësirë. Marmoush luan për Egjiptin.

Nga dy lojtarë do t’i kenë larg edhe Brentfordi, Evertoni, Nottinghm Foresti, Tottenham Hotspuri, West Hami, Wolverhamptoni.

Liverpoolit do t’i mungojë Mohamed Salah. Ylli egjiptian u kthye në fundjavën e kaluar në skuadër dhe dëshmoi që mund të jetë i rëndësishëm. Me gjithë përplasjet me trajnerin Arne Slot dhe klubin, Salah mbetet shumë i rëndësishëm për Liverpoolin, ndonëse kishte më pak hapësirë së fundi.

Crystal Palace i ka katër lojtarë nga Afrika, por vetëm njëri prej tyre është ftuar në Kupën e Afrikës. Brightoni po ashtu e ka një lojtar në kampionatin kontinental, ndërsa Evann Guessand i Aston Villas është në listën rezervë të Bregut të Fildishtë.

Janë edhe pesë klube të Premier Leagues që nuk e kanë këtë brengë. Dhe gjasat e Arsenalit për ta fituar titullin rriten për faktin se nuk do t’i mungojë asnjë lojtar për shkak të kësaj ngjarjeje. Chelsea, Leeds Unitedi, Newcastle Unitedi dhe Bournemouthi po ashtu nuk ndikohen nga AFCON-i.

Kupa e Afrikës zhvillohet deri më 18 janar. Deri atëherë luhen shumë xhiro të Premier Leagues.

Për shkak të rrethanave të shumta, duke përfshirë të nxehtit në kontinentin e Afrikës, dy edicionet e kaluara të AFCON janë mbajtur në janar. Ndërkohë për shkak të zgjerimit të Kupës së Botës 2026, Kupa e Afrikës sërish nuk mund të mbahet në verën e ardhshme. Dhe fillon që në dhjetor.