Atletja me prejardhje shqiptare, Nooralotta Neziri, ishte shumë pranë që të fitojë medalje në Kampionatin Evropian në palestër që të dielën përfundoi në Torun të Polonisë. Vrapuesja e Finlandës garoi në 60 metra me pengesa, të dielën, në njërën prej garave të fundit të Evropianit të 36-të në palestër.
Ajo përfundoi e katërta, ndërsa medalja i “iku” për shumë pak, përkatësisht për një të qindtën e sekondës. Neziri kishte rezultat prej 7.93 sekondash. Tiffany Porter e Britanisë së Madhe fitoi medaljen e bronztë me kohë prej 7.92 sekondash. Nadine Visser e Holandës fitoi medaljen e artë evropiane me kohë prej 7.77 sekondash, ndërsa të argjendtën e fitoi Cynthia Sember po ashtu e Britanisë së Madhe, me kohë prej 7.89 sekondash.
“Çfarë dite. Isha shumë afër për të pasur medaljen që e kam dashur dhe e dua aq shumë. Për disa sekonda isha aq e bindur se medalja do të më takonte. Por më pas kuptova se ajo nuk më takon për 0,01 sekonda. Gjithsesi jam e lumtur se si e kam menaxhuar garën. Dy javët e fundit ishin larg prej javëve të lehta dhe isha në gjendje të kthehesha në formë të mirë. Gjatë garës nuk kam gabuar dhe kam lënë çdo gjë që kisha në shteg”, ka shkruar Neziri, babai i së cilës është shqiptar dhe me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.
“Pra vendi i katërt në Evropian këtë vit. Një prej finaleve më të shpejta në këtë shekull. Paraqitja ime është përmirësuar shumë. Kështu që nuk ka vend për brengë. Medaljet do të vijnë herët apo vonë”, thotë Nooralotta Neziri.
28-vjeçarja është e lindur në Turku të Finlandës dhe vrapon kryesisht në 100 metra me pengesa. Ajo ishte kampione e Evropës për juniore në 100 metra me pengesa, në vitin 2011. Në vitin 2013 fitoi medaljen e bronztë në 100 metra me pengesa në Evropianin U23. Rezultati i së dielës është më i miri i saj te senioret.
Në Evropian më e suksesshmja ishte Holanda me katër të arta, një të argjendtë e dy të bronzta. Portugalia kishte vetëm tri të arta, ndërsa e treta ishte Britania e Madhe, ndonëse i fitoi plot 12 medalje. Por të arta ishin vetëm dy prej tyre. Nga dy të arta i fituan edhe Belgjika, Franca, Ukraina, Norvegjia e Zvicra.
Kosovën e përfaqësoi Albina Deliu që ishte e fundit në kualifikime në 800 metra vrapim. Për shkak të telasheve me vizë, Musa Hajdari nuk mundi të udhëtonte.
Shpresa e madhe e Shqipërisë, Izmir Smajlaj, dështoi të kalonte në finale në kërcim së gjati. Ndërkohë Franko Burraj kaloi me sukses kualifikimet, por u ndal në gjysmëfinale në vrapim 400 metra.
“Ndonëse ky Evropian nuk shkoi sipas parashikimeve të mia dhe rezultati ishte larg prej atyre që kisha, jam i kënaqur që sezoni dimëror përfundoi me tri medalje të arta. Unë nuk do të ndalem këtu. Menjëherë pas rikthimit në Shqipëri do të vazhdoj të stërvitem edhe më tepër dhe me më shumë vullnet për të arritur qëllimet që ia kam vënë vetes për vitin 2021”, ka shkruar Smajlaj.