Musa Hajdari ishte i vetmi prej atletëve të Kosovës që shmangi pozitat e fundit në Kampionatin Ballkanik në palestër, që të shtunën u mbajt në Stamboll të Turqisë. Por as Hajdari nuk arriti rezultat që përputhet me synimet e tij.
Në Ballkanikun e 26-të për seniorë, në palestër, asnjëri prej atletëve kosovarë nuk iu afrua medaljes. Një javë më parë në Ballkanikun U20, Muhamed Ramadani e Alaudin Suma fituan medalje në hedhje të gjyles.
Por në nivelin e të rriturve, kosovarët ishin larg kreut. Konkurrenca në garën e së shtunës ishte goxha e fortë.
Musa Hajdari garoi në 1500 metra dhe u rendit i shtati prej dhjetë garuesve. Ai kishte kohë prej 3:51.05 minuta. Kampion doli bullgari Mitko Tsenov me kohë prej 3:45.97 minuta.
Astrit Kryeziu garoi në 800 metra vrapim dhe u rendit i fundit, i nënti. Ai kishte kohë të dobët. Në cak hyri për 1:56.64 minuta, ndërsa i parafundit kishte kohë 1:51.99 minuta. Fitues ishte ukrainasi Oleh Myronets me kohë 1:48.19 minuta.
Erudit Rysha garoi në kërcim së gjati. Kërcimin më të mirë e kishte 6:14 metra, që i mjaftoi vetëm për pozitën e fundit (11). Dukshëm rezultat më të mirë kishte Izmir Smajlaj i Shqipërisë, që është prej më të mirëve në Evropë. Me kërcimin më të mirë prej 7.91 metra ai u shpall kampion ballkanik. Kështu Smajlaj shtoj edhe një medalje në koleksionin e pasur të tij.
Lirije Peci garoi në vrapim 400 metra dhe nuk shmangu pozitën e fundi. U rendit e 11-ta me kohë 58.47 sekonda. Rumunia Andrea Miklos fitoi të artën me kohë 51.92 sekonda.
Albina Deliu e Gresa Bakrraqi garuan në 800 metra. Albina u rendit e parafundit (11) me kohë 2:13.86 minuta. 2.14.55 minuta ishte koha e Gresa Bakrraqit që u rendit e fundit (12).
Pos Kosovës pa medalje mbetën edhe gjashtë vende tjera. Ndërkohë plot 14 vende fituan medalje.
Me një të artë e një të argjendtë, Shqipëria u rendit e shtata. Turqia ishte më e suksesshmja me shtatë medalje të arta, katër të argjendta dhe katër të bronzta. Ukraina ishte e dyta, ndërsa Bullgaria e treta, falë tri të artave.
Për Shqipërinë medalje fitoi edhe Franko Burraj. Ai përfundoi i dyti në vrapim 400 metra.
e Atletikës së Kosovës ka njoftuar për pjesëmarrjen në Ballkanik e po ashtu ka publikuar linkun e garës. Por nuk ka njoftuar për rezultatin e atletëve kosovarë. Jo rrallë ndodhë që federatat kosovare mos t’i publikojnë rezultatet kur ato janë të dobëta.
Ndërkohë Smajlaj ka vlerësuar garën.
“Një garë e vështirë me garues nga 21 shtete ballkanike dhe jo vetëm. I lumtur për rezultatin prej 7.91 metra dhe vendin e parë në këtë kompeticion të rëndësishëm dimëror”, ka shkruar Izmir Smajlaj, aktualisht atleti më i mirë shqiptar.