Mungesa e stabilitetit të klubeve po e godet jo pak Superligën e Kosovës në hendboll.
Më 24 shkurt, klubi me nam, Vëllaznimi i Gjakovës njoftoi për herë të dytë këtë edicion se po tërhiqet nga garat. Prej atëherë janë shtyrë dy ndeshje të Vëllaznimit, me Trepçën në kuadër të xhiros së 18-të dhe me Prishtinën në kuadër të xhiros së 19-të.
Por Federata e Hendbollit e Kosovës ka përcaktuar terminin e ndeshjes së Vëllaznimit me Kastriotin, që i takon xhiros së 20-të. Sipas FHK-së, kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 19:00 në Ferizaj. Kastrioti është vendas.
Nga FHK-ja kanë thënë se Vëllaznimi do të vazhdojë garat. Klubi gjakovar për shkak të telasheve financiare dy herë këtë kampionat njoftoi për largim nga garat. Pas “vendimit” të parë, u kthye për të garuar dhe kjo pritet të ndodhë sërish.
Por me Vëllaznimin nuk përfundojnë telashet e klubeve të Superligës së hendbollit. Të premten me një postim në “facebook” u paraqit KH Vushtrria. Dhe Vushtrria shkroi se është tërhequr zyrtarisht nga garat.
“Të nderuar lojtarë të klubit, ju që nuk lejuat asnjëherë që klubi ynë të shuhet. Të nderuar sportdashës, me keqardhje ju njoftojmë se nga sot klubi më i suksesshëm i qytetit, KH Vushtrria, largohet zyrtarisht nga garat për arsye financiare. I pamjaftueshëm është mundi i vetëm një individi me lojtarët e ri që të provoi të mbijetoi, sepse klubi nuk ka pasur as edhe një ndihmë financiare për të vazhduar garat. Le të mbetet në ndërgjegjen e të gjithë atyre që e braktisën klubin dhe e dërguan në shuarje, e rininë e lanë të sillet rrugëve”, ka shkruar Vushtrria.
Edhe
Hendboll, Rahoveci para fitores së radhës
Por FHK-ja ka caktuar edhe terminin e ndeshjes së ardhshme të Vushtrrisë. Sipas federatës, Vushtrria të shtunën prej orës 20:00 e pret Deçanin.
Vushtrria është e fundit në tabelë me vetëm katër pikë, sa i ka edhe Vëllaznimi në pozitën e parafundit. Superliga i ka tetë skuadra.
Rahoveci ka dominuar plotësisht këtë edicion, duke i fituar të gjitha 19 ndeshjet. Udhëheq në tabelë me 38 pikë. Besa Famgas është e dyta me 30 pikë, ndërsa Trepça e treta me 24. Pasojnë Kastrioti me 22, Prishtina me 18 dhe Deçani me gjashtë pikë. Trepça është fituese e Kupës, por po ashtu përballet me telashe financiare. Për këtë arsye edhe ka mbetur me fond shumë të limituar të lojtarëve.