Taulant Xhaka është i lindur në Basel të Zvicrës dhe është formuar si lojtar në klubin me të njëjtin emër. Mesfushori 31-vjeçar e ka kaluar thuajse të gjithë karrierën te Baseli, ndërsa në një intervistë për “Blick” ka treguar se pse refuzoi ofertat për të luajtur jashtë Zvicrës. Në fakt Xhaka, që ka luajtur për Shqipërinë, ka luajtur për Grasshopperin në vitet 2012 e 2013, si lojtar i huazuar nga Baseli.
Ai ishte paraqitur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, ndërsa në vitin 2014 iu bashkua Shqipërisë. Ka luajtur 31 ndeshje deri në vitin 2019.
“Kam mundur të shkoj jashtë. Kur Paulo Sousa u largua nga Baseli për te Fiorentina, ai më ka thirrur tri apo katër herë në ditë pasi dëshironte të më merrte me vete. Por i kam thënë direkt se dua të qëndroj në Basel. Dhe se nuk mund të paramendoj që të vesh fanellë tjetër”, ka thënë Xhaka për “Blick”.
Fiorentina është skuadër e njohur në Serie A të Italisë.
“Natyrisht liga italiane do të ishte tërheqëse në aspektin sportiv. Por unë ndihem mirë në Basel. Tifozët më respektojnë, familja dhe shokët e mi janë këtu. Çka më duhet më tepër”, ka theksuar Taulant Xhaka, vëllai i madh i Granitit, mesfushorit të Zvicrës dhe Arsenalit.
Baseli është i dyti në Superligën e Zvicrës. Ka mbetur shumë prapa Zuerichut, që thuajse e ka siguruar titullin e kampionit. Dy skuadrat kanë rivalitet të madh.
Edhe
Xhaka e vazhdon karrierën në futboll – si trajner
Xhaka ka pranuar se ndihet keq kur e sheh Zuerichun në vendin e parë. Ka thënë se për pak është çmendur kur humbën 4:2 nga Zuerichu.
Xhaka nuk kishte luajtur në atë ndeshje me Zuerichun. Pas asaj humbje të Baselit kishte reaguar edhe Graniti. Dhe Taulanti po luan rregullisht prej atëherë.
Taulant Xhaka këtë edicion ka shënuar një gol në 19 paraqitje për Baselin në Superligën e Zvicrës.