Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Një basketbollist i rritur në Finlandë i bashkohet Kosovës

Basketbollisti i talentuar nga Finlanda, Gëzim Bajrami është pritur në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) nga kryetari Arben Fetahu dhe drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, të hënën.

Në njoftimin e FBK-së, thuhet se Fetahu dhe Rugova kanë përgëzuar Bajramin për karrierën e zhvilluar në Finlandë dhe vendimin e tij që të luajë për grupmoshat e Kosovës. Bajrami është vetëm 17 vjeçar dhe ka luajtur për grupmoshat e Finlandës.

Ai luan në pozitën e qendrës, derisa do të jetë pjesë e Kosovës U18 dhe U20. Bajrami ka falënderuar FBK-në për angazhimin dhe përkushtimin që ai të jetë pjesë e Kosovës dhe është shprehur i lumtur që do të veshë fanellën e “Dardanëve”.

Basketbollisti i talentuar ka luajtur për Finlandën U16 dhe është pjesë e skuadrës Pyrinto. FBK-ja, gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë basketbollistëve që luajnë në diasporë të zgjedhin Kosovën.