Sport

Ngritja e madhe e Strugës, klub i themeluar vetëm gjashtë vjet më parë

Me pak rreshta përmblidhet historiku i klubit të futbollit Struga Trim&Lum. Por ngritja e klubit shqiptar me seli buzë liqenit të Ohrit është e jashtëzakonshme.

Nga Kategoria e Katërt e futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku edhe nisi në vitin 2015, kur u themelua, Struga të dielën mund të kompletojë rrugëtimin e veçantë me dalje në Evropë. Është vetëm tri pikë larg për ta siguruar daljen në Evropë për herë të parë në histori.

Për t’i siguruar kualifikimet në Ligën e Konferencës, Strugës i duhet ta ruajë vendin e tretë në tabelën e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Pra, të dielën i duhet fitore kundër Sileksit në udhëtim. Sileksi është në barazh dhe nuk i kryejnë punë fitorja e as barazimi, ndërsa Strugës i duhen veç pikët e plota për të mbetur në vendin e tretë. Në vendin e parë është Shkëndija e Tetovës si kampione, kurse skuadra tjetër shqiptare, Shkupi është në vendin e dytë. Dhe, nëse edhe Struga do ta siguronte vendin e tretë, do ta çonte në tre numrin e skuadrave shqiptare nga kampionati maqedonas në skenën evropiane.

Por për të arritur deri te kjo pozitë te Struga thonë se kanë kaluar një rrugë të vështirë.

Anëtari i kryesisë së klubit, Ardit Shaqiri, thotë se me ngritjen në elitë u është realizuar një ëndërr, ndërsa siç thekson ai, synimi tash është të shkruajnë edhe histori.

“Besoj se kemi bërë një sezon të mirë. Nga edicioni i kaluar na u larguan shumë lojtarë dhe kishim frikën se a do të mund të adaptoheshin shpejt lojtarët e rinj. Por ia dolëm shumë mirë dhe synimi ynë ishte që këtë edicion të përfundonim në mesin e katër vendeve të para duke parë edhe cilësinë në ekipet e tjera. Jemi klub i ri, pra i formuar në vitin 2015 dhe është viti i dytë që garojmë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut dhe të dielën e kemi ndeshjen e sezonit. Do të ishte historike për ne si klub kualifikimi për garat evropiane. Jemi ngritur çdo vit nga një kategori. Kam besim të madh se të dielën ne do t’ia arrijmë qëllimit edhe pse në shumë ndeshje jemi dëmtuar. Por, kam besim se do të jetë gjithçka korrekte të dielën dhe ne ta shkruajmë historinë”, ka thënë Shaqiri.

Klubi i futbollit Struga Trim&Lum udhëhiqet nga pronari i kompanisë së ndërtimit, “Trim&Lum”, Mendi Qyra së bashku me djemtë e tij, Arbtrimin dhe Lumin. Janë edhe të vetmit që mbajnë klubin, meqë të hyra të tjera apo ndihma nuk ka pasur nga askush. Por ia kanë dalë të mbahen financiarisht. Edhe organizimi vlerësohet të jetë në nivel të lartë.

“Janë njerëz korrektë dhe me mundësitë e veta ia kanë dalë ta ngrenë Strugën nga Liga e Katërt në Ligën e Parë. Qyteti i Strugës nuk e ka pasur asnjë ekip shqiptar në Ligën e Parë dhe këtë ëndërr e kemi bërë realitet, ndërsa tani synim kemi historinë – daljen në Evropë”, është shprehur Shaqiri.

Përveç pronarëve, edhe të tjerët në kryesi të klubit janë shqiptarë, ndërsa dominojnë edhe lojtarët shqiptarë.

Ndër ta është edhe kapiteni Flamur Tairi. Ai është futbollist i Strugës nga fillimi.

“Unë jam thuajse këtu prej formimit të klubit. Ky klub për shumë pak kohë ka arritur suksese të njëpasnjëshme dhe rrugëtimi deri këtu ka qenë i vështirë. Por, ia kemi dalë me shumë sukses si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ka qenë një menaxhim i mirë dhe me lojtarë cilësorë. Ka lojtarë me përvojë e po ashtu edhe të rinj, por që është bërë një lidhje e fortë. Baza e ekipit është ruajtur. Shumë lojtarë kemi luajtur edhe vitet e kaluara dhe njihemi mjaft mirë. Edhe të rinjtë janë adaptuar shumë mirë dhe mbështetja e pronarëve na ka motivuar të arrijmë sukses. Kemi funksionuar si familje. Shpresoj në fund të shpërblehemi me pjesëmarrje në Kupat e Evropës”, ka thënë kapiteni Tairi, i cili në 28 ndeshje ka shënuar një gol dhe ka asistuar pesë herë.

Një prej lojtarëve me përvojë është edhe Bunjamin Shabani, që Strugës iu bashkua në gusht të vitit të kaluar nga Drita e Gjilanit. Shabani ka luajtur me Dritën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Por ai uron të marrë pjesë edhe me Strugën, meqë thotë se do të ishte e veçantë për të.

“Struga është një ekip i ri ku këtë vit tregoi dhe dëshmoi seriozitetin. Realisht prej fillimit ambiciet kanë qenë mesi i tabelës dhe të shfrytëzojmë mundësinë që Evropën ta sigurojmë nëpërmjet kupës. Nuk patëm fat në gjysmëfinale, ku u eliminuam dhe më pas i gjithë fokusi ynë ishte gara në kampionat. Jemi në vendin e tretë, por kemi ndeshjen e fundit që na duhet patjetër fitorja për të qenë në Evropë. Kam luajtur në Evropë dhe gara kualifikuese ku kemi bërë paraqitje të mira, por mendoj se do të ishte e veçantë që me Strugën vetëm në vitin dytë në elitë të futbollit të Maqedonisë të kualifikoheshim në Evropë. Do të ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Shabani. Shabani për Strugën këtë edicion ka luajtur 26 ndeshje dhe ka asistuar tri herë.

Në elitën e Maqedonisë së Veriut garon edhe Renova. Por Renova do të luajë në barazh këtë herë.