Ballkani është vetëm një prej tri skuadrave shqiptare që paraqiten në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ka disa vjet që shqiptarët prezantohen me nga tri skuadra në kualifikimet e garës elitare evropiane, falë rritjes së jashtëzakonshme të futbollit shqiptar në Maqedoni të Veriut.
Më herët Maqedoninë e Veriut në Champions e kanë prezantuar Shkëndija e Tetovës e Shkupi, ndërsa tani është radha e Strugës. Në kuadër të raundit të parë kualifikues të Championsit, Struga përballet me Zhalgirisin e Lituanisë, që vjet e kishte eliminuar Ballkanin e Suharekës. Ndeshja e parë luhet të martën prej orës 18:00 në Vilnius. Ndërsa ndeshja e kthimit luhet në Ohër më 18 korrik.
Struga është rritur hovshëm në vitet e fundit. Në edicionin 2015/16 ishte në nivelin e katërt të Maqedonisë së Veriut. Në vitin 2017 kaloi në kategorinë e tretë, ndërsa në vitin 2018 në kategorinë e dytë. Në elitën e Maqedonisë së Veriut luan prej edicionit 2019/2020. Titullin e kampionit e ka fituar për herë të parë.
Vjet ekipi nga Struga debutoi edhe në Evropë. Por u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Liepaja e Letonisë.
“Luajmë me një skuadër që vjet ishte në grupet e Ligës së Konferencës. Trajneri bashkë me stafin e tij kanë analizuar shumë mirë kundërshtarin. E dimë që do të jetë vështirë, por besoj se me angazhim maksimal të të gjithë ekipit, në fund do t’ia dalim. Besoj te grupi i lojtarëve. Do të japim më të mirën në garat evropiane. Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë vështirë se mund të shpresojë për një qëndrim të gjatë në garat evropiane”, ka thënë Besart Ibraimi, golashënuesi më i mirë i Strugës.
Shqipërinë në raundin e parë kualifikues të Championsit e prezanton Partizani i Tiranës. Partizani përballë e ka skuadrën bjelloruse, BATE Borisov. Ndeshja e parë është në “Air Albania”, të martën nga ora 20:45.
Partizani është i favorizuar për ndeshjen e dytë pasi ajo zhvillohet në terren neutral. UEFA nuk lejon klubet bjelloruse të luajnë në territorin e Bjellorusisë. BATE Borisovi ka vendosur që ndeshjen ta organizojë në Hungari.
Partizani ka përvojë të gjatë në kupa evropiane. Në Champions së fundi ishte paraqitur në edicionin 2019/2020. Ishte ndalur nga Qarabagu i Azerbajxhanit në raundin e parë kualifikues. Ka disa vjet që ekipi tiranas nuk ka ecur mirë në kupa evropiane. Vjet, për shembull, ishte ndalur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës nga Saburtalo Tbilisi i Gjeorgjisë.
“BATE është klub me histori të pasur në Champions. Ka më shumë traditë në gara evropiane dhe është klub i madh në Bjellorusi. Por duhet të hyjmë në fushë me besimin e duhur dhe të mos ndihemi inferior. Do të bëjmë maksimumin. Besojmë në kualifikim. Jemi përgatitur mirë, por duhet të jemi të zgjuar dhe të luajmë me ritëm të lartë”, ka thënë Valentino Murataj, mesfushor i Partizanit të Tiranës.
Si Struga ashtu edhe Partizani kanë bërë ndryshime në përbërje gjatë javëve të fundit. Të dy skuadrat shqiptare shpresojnë të kalojnë kundërshtarët e parë në Champions. Kjo, ndër të tjera, do t’u siguronte qindra mijëra euro shtesë.