Struga dhe Partizani i Tiranës i luajnë të martën ndeshjet e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Të dy skuadrat shqiptare kërkojnë suksesin, përkatësisht kalimin në raundin e dytë kualifikues.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Struga, e pret Zhalgirisin e Lituanisë. Ndeshja e parë në Vilnius kishte përfunduar pa gola. Kështu Struga është në situatë të volitshme. Ndeshja e kthimit është të martën prej orës 17:00 në Ohër.
Struga për herë të parë e ka fituar titullin e kampionit në Maqedoni të Veriut dhe për herë të parë po paraqitet në Champions.
Struganët vlerësojnë se Zhalgirisi është kundërshtar i kalueshëm.
Ndërkohë ndeshje më sfiduese ka kampioni i Shqipërisë, Partizani i Tiranës. Një javë më parë në Tiranë, Partizani barazoi 1:1 me BATE Borisovin, kampionin e Bjellorusisë. Ndeshja e kthimit është të martën prej orës 20:00 në Mezokovesd të Hungarisë. BATE vendosi të organizonte ndeshjen në Hungari, pasi UEFA nuk lejon ndeshjet ndërkombëtare në Bjellorusi.
“Rezultati nga ndeshja e parë lë çdo gjë të hapur sa i takon kalimit në raundin e dytë kualifikues. Kemi luajtur vetëm aktin e parë. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje. Duhet të kemi përqendrim maksimal dhe të luajmë lojën tonë”, ka thënë trajneri i Partizanit, Zoran Zekiq, në konferencën për shtyp.
Ai pret ndeshje plotësisht tjetër prej asaj në Tiranë. Zekiq thotë se Partizani duhet të luajë dukshëm më mirë se në Tiranë për të shpresuar në kualifikim.
“Duhet të kemi më shumë karakter, më shumë energji dhe më shumë disiplinë”, ka thënë trajneri kroat.
Ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve.
“Askush nuk dëshiron që një ndeshje të luhet pa shikues dhe për këtë më vjen shumë keq. Do të jetë situatë e njëjtë si për ne, si për kundërshtarin. Duhet të jemi gati të luajmë edhe në situatë të tillë”, ka thënë trajneri i Partizanit.
Kampioni i Kosovës, Ballkani, luan të mërkurën.