Fitorja e së dielës e Struga Trim Lum në udhëtim ndaj Sileksit ka bërë që të thyhet rekordi për numrin e skuadrave shqiptare në gara evropiane.
Në edicionin 2021/22 do të jenë plot 11 skuadra shqiptare në kupa evropiane. Në edicionin aktual, 2020/2021, ishin dhjetë skuadra.
Shqipëria do t’i ketë katër skuadra në gara evropiane, një në Champions e tri në Ligën e Konferencës, garë e re e UEFA-s që është niveli i tretë. Kosova i ka tri skuadra. Prishtina do të jetë në kualifikimet e Championsit, ndërsa Llapi dhe Drita apo Ballkani, në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Llapi ka fituar Kupën, ndërsa xhiroja e fundit do të vendos nëse Drita apo Ballkani do të jenë nënkampion.
Prej Maqedonisë së Veriut, në kualifikimet e Championsit do të jetë Shkëndija e Tetovës, ndërsa Shkupi e Struga Trim Lum do të garojnë në verë në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në Ligën e Konferencës prej Malit të Zi do të garojë Deçiqi i Tuzit.
Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrat shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi. Struga e Deçiqi debutojnë në gara kontinentale dhe do ta mbushin “kuletën” me para.
Edhe
Njëmbëdhjetë skuadra shqiptare mund të luajnë edicionin e ardhshëm në kupa evropiane
Fitoren vendimtare, Struga e mori të dielën në Kratovë ndaj Sileksit. Ndonëse luajti me një lojtar më pak në fushë prej minutës së 28-të, Struga ia doli të fitoi 1:0. Sulmuesi Marjan Altiparmakovski u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Strugës i është dashur fitorja për të siguruar Evropën. Atë e ka arritur falë golit të Abdulhadi Jahjës në minutën e 67-të. Struga përfundoi e treta me 57 pikë. Shkupi përfundon i dyti me 59 pikë, ndërsa Shkëndija që më herët siguroi titullin, ka 75 pikë.
Në elitën e Maqedonisë së Veriut luan edhe Renova. Ajo do të paraqitet në barazh.