Sport

Neymari mohon akuzat për përdhunim

Ylli i Paris Saint-Germainit, Neymar, ka mohuar akuzat për përdhunim pasi një grua braziliane e kishte raportuar në policinë e Sao Paulos.

Policia në Brazil ka konfirmuar se ka pasur një ankesë ndaj Neymarit, por nuk kishte pranuar të jepte më shumë detaje për rastin, që u ngrit më 31 maj.

Mediumi brazilian UOL raportoi se bëhet fjalë për akuzë për përdhunim dhe shtoi se raporti policor po mbahej sekret.

Babai i lojtarit të shtunën tha se do të publikohen mesazhet e të birit të tij me gruan që akuzoi Neymarin, për të dëshmuar pafajësinë e brazilianit. “E di se djali im mund të akuzohet për shumë gjëra, por e di çfarë burri është ai, djali i një babai dhe një nëne. Duam që drejtësia të dalë sa më shpejtë që është e mundshme”, ka thënë ai.

Sipas raportimeve në Brazil, Neymari kishte paguar gruan që të takohej me të në Paris. 27-vjeçari ka thënë se ishte takuar me akuzuesen në hotel, por mohoi kategorisht deklarimet për përdhunim.

“Po akuzohem për përdhumin”, ka thënë ai në një video të publikuar në Instagram të dielën në mëngjes. “Është fjalë e rëndë, gjë e rëndë, por kjo po ndodh tani. Jam befasuar. Ishte shumë keq, shumë e rëndë që dëgjova këtë. Ju e dini karakterin tim, e dini çfarë po them, e dini se unë kurrë s’do të bëja diçka të tillë”.

Lojtari ka thënë se do t’i përgjigjet çdo akuze dhe ka publikuar çdo mesazh, edhe intime, për të dëshmuar pafajësinë. Ai ka treguar se bisedat kishin nisur në mars dhe kishin vazhduar më 15 maj. Në mesazhet e shfaqura shihet se ajo e kërkonte ish-yllin e Barcelonës në hotel më 16 maj. Gruaja anonime ishte kthyer në Sao Paulo më 17 maj para se të dërgonte rastin në polici më 31 maj.

“Ajo që ndodhi atë ditë ishte një lidhje mes një burri dhe një gruaje, brenda katër muresh. Diçka që ndodh me çdo çift, dhe të nesërmen asgjë”, ka thënë Neymar që ka shtuar se gruaja kishte kërkuar një suvenir nga ai për të birin e saj. Ai ka treguar se tash është i befasuar për rastin.

Edhe ekipi i Neymarit ka mohuar akuzat dhe ka thënë se janë njoftuar avokatët e lojtarit.

Neymari aktualisht është në Brazil duke u bërë gati për Copa America në qershor e korrik.