Sulmuesi i krahut, Hakim Ziyech, mund të jetë përforcimi i parë i Newcastle Unitedit në afatin kalimtar të janarit, ka bërë të ditur “Daily Mail” të hënën. Mësohet se Newcastle tashmë ka nisur negociatat me Chelsean, pasi marokeni ka kërkuar largimin nga Londra.
Për transferimin e tij në fillim të vitit të ardhshëm, Newcastle është gati të ofrojë mbi 30 milionë euro.
29-vjeçari këtë edicion nuk ka pasur minutazhë të mjaftueshme te Chelsea dhe për këtë arsye po dëshiron të largohet. Ai ka regjistruar vetëm nëntë paraqitje për londinezët, me të cilët ka kontratë deri në vitin 2025. Ziyech ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Marokut në Kupën e Botës “Katari 2022”.
Ai pati një gol e një asistim në shtatë ndeshje të luajtura në këtë turne, në të cilin Maroku përfundoi i katërti.