Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Newcastle ka besim te portieri Karius para finales së Kupës së Ligës

Kieran Trippier e njeh Loris Kariusin që nga ditët kur ishin pjesë e të rinjve te Manchester City. Mbrojtësi anglez nuk është i shqetësuar për gjendjen shpirtërore të portierit derisa Newcastle përgatitet të përballet me Manchester Unitedin në finalen e Kupës së Ligës angleze, të dielën.

“Unë e di se çfarë lloj karakteri ka ai. Ai është i guximshëm, ka besim, është një portier shumë i mirë”, tha Trippier të premten. “Ai do të jetë i gatshëm mendërisht, do të jetë fizikisht i gatshëm, nuk ka problem. Nuk jam i shqetësuar për këtë.”

Karius kthehet në qendër të vëmendjes - jo më pak se në “Wembley” - gati pesë vjet që nga paraqitja e tij e fundit për një klub anglez. Gafat e gjermanit, që më vonë u dëshmua se kishin lidhje me tronditjen e trurit, ishin të kushtueshme në humbjen 3:1 të Liverpoolit nga Real Madridi në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2018.

Inkuadrimi i Kariusit në ndeshjen finale të së dielës ka ardhur për shkak se trajneri Eddie Howe nuk e ka asnjërin prej dy portierëve të parë në dispozicion. Edhe pse ai ende nuk ka bërë formacionin për duelin me Manchester Unitedin, Karius tashmë e ka të sigurt vendin në portë. Portieri i parë, Nick Pope është suspenduar për shkak të një kartoni të kuq, ndërsa i dyti, Martin Dubravka nuk mund të luajë në këtë garë për shkak se u paraqit për Manchester Unitedin përpara se të huazohej te Newcastle. Kjo lë 29-vjeçarin Karius titullar për të dielën dhe në stol veteranin Mark Gillespie, paraqitja e fundit e të cilit për Newcastlen ishte në shtator të vitit 2020.

Karius kishte shkuar te klubi turk, Beshiktash, në formë huazimi nga Liverpooli për dy sezone, pas humbjes famëkeqe në Kiev. Më pas luajti për një kohë të shkurtër për Union Berlinin në sezonin 2020/21 përpara se të mbyllte ditët e tij në Liverpool në qendrën stërvitore të ekipit sezonin e kaluar.

Edhe Portieri Karius i bashkohet Newcastlet Sport Portieri Karius i bashkohet Newcastlet

Karius nuk ka luajtur ende ndeshje garuese për Newcastlen prej se iu bashkua para fillimit të këtij edicioni. Ai bëri përshtypje të mirë në një ndeshje miqësore kundër Al Hilalit gjatë udhëtimit të Newcastle Unitedit në Arabinë Saudite në dhjetor.

“Për mua ishte hera e parë që kthehesha në fushë pas shumë kohësh. Është një ndjenjë e mirë”, kishte thënë Karius.

Edhe trajneri Howe ka besim te Kariusi dhe thotë se portieri është gati për të dëshmuar vlerat e veta.

“Ne të gjithë kemi gjëra që kanë ndodhur në karrierën tonë, në historitë tona, nga të cilat mësojmë dhe unë mendoj se ai nuk është i ndryshëm në këtë aspekt”, tha Howe.

Edhe Kariusi i bashkohet Newcastleit Sport Kariusi i bashkohet Newcastleit

Kapiteni i Newcastlet, Trippier tha se finalja e Ligës së Kampionëve ishte “vite më parë” dhe tani Karius është dukshëm më i pjekur. Ai insistoi se Newcastle synon ta mposht Manchester Unitedin për trofeun e parë të sezonit.

“Lorisi po shikon vetëm përpara”, tha mbrojtësi i djathtë. “Ai ka qenë pozitiv që kur ka ardhur këtu. Ne nuk mund të shikojmë të kaluarën, duhet të shikojmë të tashmen. E di që ai do të jetë gati për finale, pasi ka mbështetjen time dhe shokëve të mi. Ne duam të fitojmë kupën dhe ta kthejmë atë në Newcastle, kështu që të gjithë do të jenë gati”.