Derbi i xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në basketboll do të ndërpresë serinë pozitive të Rahovecit apo të Golden Eagle Yllit.
Ylli e pret Rahovecin të dielën nga ora 17:00 në Suharekë, në përballjen e dy skuadrave të pamposhtura në stinorin pranveror. Rahoveci ka pesë fitore këtë vit ndaj Sigal Prishtinës, Feronilelit, Lipjanit, Trepçës e Bashkimit, ndërsa prin në tabelë me 37 pikë nga 21 ndeshje. Golden Eagle Ylli ka fituar katër ndeshjet e luajtura ndaj Feronikelit, Lipjanit, Trepçës e Bashkimit. Është në vend të tretë me 34 pikë nga 20 ndeshje, shkruan sot Koha Ditore.
Ylli e Rahoveci kanë pasur rivalitet shumë të madh në vitet e fundit. Tifozët e dy skuadrave po ashtu kanë rivalitet të madh, ndërkohë që Rahoveci e Suhareka tashmë janë qendra të vogla të basketbollit kosovar.
Kalimi i Altin Morinës nga Ylli te Rahoveci vlerësohet se ka rritur rivalitetin edhe më shumë. Morina ka shfaqur formë të lartë në ndeshjet e këtij edicioni. Rahoveci e Ylli kanë synime për trofe këtë edicion.