(E përditësuar 19:25) - Golden Eagle Ylli e ka fituar ndeshjen e tensionuar ndaj Rahovecit 029 me rezultatin, 94:80.
Ndeshja e zhvilluar të shtunën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë i takoi xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Teksa po zhvillohej fillimi i çerekut të dytë ndeshja u ndërpre përkohësisht për afër 20 minuta për shkak të fyerjeve nga tifozët vendas drejtuar basketbollistëve të Rahovecit 029.
Ndeshja filloi përsëri pasi një pjesë e tifozëve u larguan nga salla.
Ylli i fitoi dy çerekët e parë me rezultatet 22:16 dhe 31:16 dhe shkoi në pushim në epërsi prej 21 pikësh.
Rahoveci 029 e fitoi çerekun e tretë bindshëm 33:17. Por basketbollistët e Yllit nuk lejuan befasi dhe e fituan edhe dhjetëminutëshin e fundit me rezultat, 24:15.
Tek Ylli u veçua Brandon Huffman me 25 pikë dhe dhjetë kërcime. U dallua edhe Trevon Allen me 21 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.
Ndërsa lojë të mirë te Rahoveci 029 kishin Kentrell Pullian me 15 pikë, 11 kërcime, shtatë asistime dhe Fisnik Rugova me nëntë pikë, 14 kërcime dhe një asistim.
Për Yllin ishte fitorja e pestë këtë edicion. Ka edhe nëntë humbje. Rahoveci 029 ka bilanc të njëjtë.
Rinis ndeshja në Suharekë
(E përditësuar 17:55) - Ka rinisur ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit 029 në Suharekë pas një ndërprerje rreth 20 minutash.
Ndeshja ka rinisur pasi një pjesë e tifozëve janë larguar nga salla për shkak të fyerjeve ndaj ekipit mysafir.
Ndërpritet ndeshja në Suharekë shkaku i fyerjeve
(17:35) - Është ndërprerë përkohësisht ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit 029 që është duke u zhvilluar në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Ndeshja u ndërpre për shkak të fyerjeve nga tifozëria vendase drejtuar basketbollistëve të Rahovecit 029.
Ylli është në avantazh 37:22 ndaj Rahovecit teksa po zhvillohej fillimi i çerekut të dytë.