Basketboll

Fitore e madhe e Rahovecit 029

Rahoveci 029

Rahoveci 029 ka shënuar fitore të madhe në elitën e basketbollit kosovar. 

Të shtunën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Rahoveci 029 e mposhti Golden Eagle Yllin e Suharekës me rezultatin 85:77. 

Pjesa e dytë ishte e shkëlqyer për nikoqirin, që pas pushimit hyri me tetë pikë disavantazh, 49:41. 

Por në dy çerekët e fundit, Rahoveci 029 triumfoi me shifrat 24:10 dhe 20:18, për fitoren e tretë sezonale. 

Rahoveci 029 kishte fituar vetëm ndaj Borës dhe Vëllaznimit në dy xhirot e para. 

Ndërkohë, për Golden Eagle Yllin ishte disfata e gjashtë dhe të katërtën rresht. Fitoren e vetme skuadra suharekase e arriti ndaj Vëllaznimit në xhiron e tretë. 

Julian Roche shkëlqeu te vendësit të shtunën mbrëma me dyshifror të dyfishtë prej 22 pikëve e 13 kërcimeve. Ai e shtoi edhe një asistim Edhe Usiah Umipig pati lojë tejet të mirë me “double-double” prej 15 pikëve, 10 asistimeve, katër kërcimeve e dy topave të vjedhur.

Pikë dyshifrore patën edhe Kentrell Pullian me 16 pikë dhe Kujtim Ujkani me 10 pikë. 

Më i miri në humbje te suharekasit ishte Trevon Allen me 25 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. 

Në xhiron e tetë, Rahoveci 029 luan sërish në shtëpi përballë Borës, kurse Golden Eagle Ylli luan në udhëtim te Sigal Prishtina.