Suharekë, 12 shkurt (KD) – Golden Eagle Ylli ka hasur në telashe për ta mposhtur Rahovecin. Të dielën mbrëma në Suharekë, Ylli fitoi ndaj Rahovecit të vendit të fundit me rezultat 72:66. Me këtë fitore Ylli kthehet në pozitën e parë në tabelë.
Kampioni aktual udhëheq në tabelë me 39 pikë. Prishtina është e dyta me 38 pikë. Ylli i ka 17 fitore e pesë humbje. Ndërkohë Rahoveci pësoi humbjen e 20-të. Ka vetëm dy fitore dhe me 24 pikë është i fundit. Por dallimi në paraqitje nuk ishte aq i madh të dielën në Suharekë. Çereku i parë përfundoi 16:16, ndërsa në çerekun e dytë “vreshtarët” ishin tri pikë para, 19:16. Rahoveci shkoi në pushim me epërsinë 35:32.
Në çerekun e tretë Ylli bëri kthimin e madh. E fitoi këtë periudhë me shifrat 27:11. Megjithatë ndeshja ishte e hapur deri në fund, me Rahovecin që nuk i ka lënë të qetë vendasit deri në aksionet e fundit. Kapiteni Gëzim Morina udhëhoqi Yllin me 19 pikë e shtatë kërcime. Chris Harris i kishte shtatë pikë e 12 kërcime. Rashun Davis, Malcolm Armstead dhe Henrik Shirko kontribuuan me nga 15 pikë. Gary Blackston ishte më i miri te Rahoveci me 13 pikë e pesë kërcime. Nga 13 pikë i shënuan edhe Jack Pagenkopf dhe Ujkan Karanezi.