Sport

Në Spanjë ka zëra që të shmangen ndeshjet me Kosovën

Prishtinë, 7 shkurt – Kosova më 31 mars takohet me Spanjën në Sevilla. Ndeshja u takon eliminatoreve për Botërorin e futbollit “Katari 2022”. Spanja vlerësohet favorite e madhe në fushën e blertë, ndërsa sfida ka edhe anën politike.

Spanja nuk njeh shtetin e Kosovës dhe pasaportat e saj, kurse fillimisht ka pasur dilema nëse ndeshja do të luhet në territorin e Spanjës. Por, Federata e Futbollit të Spanjës, pas takimeve me struktura shtetërore, vendosi që ndeshja të luhet në Sevilla, ndërkohë që ishte shqyrtuar edhe mundësia e zhvillimit të ndeshjes në terren neutral.

Por jo të gjithë në Spanjë pajtohen që Kosova të jetë kundërshtare e përfaqësueses spanjolle. Madje, ka zëra që të shmangen takimet e Spanjës dhe Kosovës në të ardhmen. Kjo në fakt nuk është praktikë e panjohur. UEFA ka bërë të mundur që Kosova të mos përballet me disa shtete, ndërsa në fuqi ka kufizime edhe sa i takon Spanjës.

“Ekipi spanjoll duhet të luajë ndaj Kosovës pasi nuk ka vendosur veto para shortit”, ka shkruar gazeta “GN Diario” të dielën.

“Federata e Futbollit e Spanjës është dashur të vendosë veto për Kosovën në short, ashtu si ndodh me Gjibraltarin në shorte të tilla. Gjibraltari është ekip që është formuar disa vjet më parë me aprovimin e FIFA-s dhe UEFA-s, por ky ekip asnjëherë nuk mund të përballet me Spanjën, që nuk e njeh si shtet. Ky është një aspekt që si Qeveria ashtu edhe Federata duhet ta kenë parasysh, ndërkohë që kosovarët duhet të udhëtojnë për në Sevilla më 31 mars për të luajtur ndeshjen kualifikuese”, ka shkruar tutje kjo gazetë.

UEFA ka marrë disa vendime për të shmangur përballje të vendeve për arsye politike. Për ciklin aktual kualifikues janë disa ndeshje që nuk lejohen dhe shmangia e tyre është bërë e mundur në short. Kosova, për shkak të situatës politike, prin me numrin e përballjeve të ndaluara. Kosova nuk mund të përballet me Serbinë, Rusinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Asnjëri vend nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por, ka plot shtete të tjera që nuk e njohin Kosovën dhe që ndeshjet zhvillohen pa asnjë telashe.

Nuk lejohen as përballjet e Rusisë me Ukrainën, Armenisë me Azerbajxhanin dhe Gjibraltarit me Spanjën.

Jo shumë kohë më parë lojtarët e ekipit të Prishtinës në futsal luajtën në Barcelonë në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe nuk kishin ndonjë telashe. Në të kaluarën, në Spanjë kanë luajtur edhe hendbollistët e rinj të Kosovës, në Botërorin e juniorëve, e po ashtu hendbollistet e Istogut në kuadër të kupave evropiane. Ka pasur raste, si në Lojërat Mesdhetare, ku autoritetet spanjolle nuk kanë ofruar trajtim të njëjtë për sportistët kosovarë, lidhur me prezantimin e tyre.

Kosova e Spanja për herë të parë do të luajnë me përfaqësuese A të futbollit.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës fillimisht ishin pajtuar që ndeshjen ndaj Spanjës ta luanin në terren neutral. Por, vetëm ndeshjen në të cilën Spanja është nikoqire.

“Në ndeshjen në të cilën ne jemi vendas do të luajmë në Prishtinë, si me të gjitha përfaqësueset e tjera. Këtu nuk ka kompromis”, kishte thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Vendimet për shmangie të përballjeve janë të UEFA-s dhe jo të federatave nacionale. Por, vendimet për terren neutral janë të federatave nacionale. Njëjtë kishte vepruar kohë më parë Moldavia, që ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Kosovës e kishte organizuar në Itali.

Kosova në kualifikimet për Botëror është në grup edhe me Suedinë, Greqinë e Gjeorgjinë. Greqia e Gjeorgjia, po ashtu, nuk e njohin Kosovën. Me Greqinë, Kosova është përballur tashmë dhe ndeshjet kanë kaluar pa asnjë problem të natyrës politike. Ndërkohë, nuk pritet të ketë telashe as në ndeshjet me Gjeorgjinë.