Fundi i zbehtë i takimit i kushtoi me humbje KHF Istogut. Të premten mbrëma në Istog skuadra vendase humbi nga KA/Por e Finlandës me shifrat 26:22. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste.
Istogu ndeshjen e dytë e luan menjëherë të shtunën në palestrën e vet.
Por Istogu nuk është skuadra e vetme kosovare e hendbollit që ka sfida evropiane këtë fundjavë. Të shtunën luajnë edhe KHF Prishtina e KHF Vushtrria. Të dielën Vushtrria luan ndeshjen tjetër, ndërsa garimin evropian për këtë edicion e nis Besa Famgas.
Dhe pikërisht ndeshja e hendbollistëve të Besës pritet ta marrë vëmendjen kryesore. Në Banjallukë të Republika Srpskas të Bosnjë-Hercegovinës, Besa Famgas përballet me Borcin e famshëm, në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube. Ndeshja fillon në orën 18:00. Pejanët të premten janë nisur për në Banjallukë, qytet i banuar me serbë dhe janë të vetëdijshëm që i pret ndeshje “e nxehtë”. Në palestrën “Borik” pritet të jenë afro 1,000 shikues, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë fyerje antishqiptare.
Besa me Borcin e Banjallukës ishte përballur edhe vjet. Ndeshjet ishin luajtur pa shikues, por në Banjallukë pritja për kampionen kosovare nuk ishte e mirë. Në tërë qytetin ishin shfaqur pano anti-Kosovë, përkatësisht të tilla që Kosovën e vlerësojnë pjesë të Serbisë. Në hyrje të palestrës, hendbollistët e Pejës ishin fyer nga huliganë serbë, që megjithatë ishin mbajtur larg nga policia. Numri i pjesëtarëve të sigurisë ishte i madh si në hotel, ashtu edhe rrugës deri në palestër dhe në palestër. Njëjtë pritet të jetë edhe këtë herë.
Besa Famgas vjet ishte eliminuar për një gol, ndërsa dy ndeshje të forta priten edhe këtë herë. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Pejë.
“Të dy ekipet kemi ndryshime të shumta nga edicioni i kaluar. Mendoj se gjasat i kemi të mira. Na nevojitet rezultati i mirë në ndeshjen e parë që t’i presim më rehat rivalët në ndeshjen e dytë. Udhëtojmë me optimizëm dhe momentalisht jemi në formë të mirë”, ka thënë trajneri i Besa Famgas, Arben Muqolli pak para nisjes për në Banjallukë.
“Sa e dimë, terreni është i nxehtë atje dhe për këtë arsye duhet të japim maksimumin që të kemi rezultat të mirë. Unë besoj shumë në këta djelmosha. Shpresojmë që edhe fatin sportiv ta kemi”, ka shtuar ikona e hendbollit pejan.
Besa për një dekadë e gjysmë është e rregullt në skenën evropiane. Por më së shumti ka kaluar nga një kundërshtar në edicion. Shpesh, kur përballë ka pasur kundërshtar të fortë, është ndalur në ndeshjet e para. Këtë herë shpresat janë për avancim tutje, ndonëse Borci gjithnjë vlerësohet i rrezikshëm.
Besa vjet për trajner e kishte spanjollin Javier Cabanas, ndërsa në përbërje kishte edhe Victor Alonson, Charalampos Malliosin, Bujar Ramosajn, Drilon Tahirukajn e Yll Visokën. Tani ka angazhuar Deniz Terziqin, njërin prej më të mirëve në vend dhe dy alo nga Mali i Zi. Besa ka vite që nuk ka pasur telashe për ta dominuar Ligën e Kosovës, por ka ngecur në tentim për të bërë hapa tutje në skenën evropiane.
Borci ka përtërirë ekipin, por synon avancimin tutje.
“Jemi munduar të përgatitemi si për ndeshjet e tjera. Për dallim nga edicioni i kaluar, Besës i mungojnë disa lojtarë, ashtu si neve. Na presin dy ndeshje të vështira. Megjithatë, koncepti i lojës sonë nuk ndryshon. Do të mundohemi të jemi agresiv dhe energjik në çdo segment të lojës”, ka thënë trajneri i Borcit, Mirko Mikiq.
Rekord prej tetë skuadrash të hendbollit ishin paraqitur për të garuar këtë edicion në Evropë.
Trepça e Vëllaznimi muajin e kaluar u eliminuan në raundin e parë të Kupës Evropiane. Prishtina u tërhoq pa lojë, me arsyetim “situatën me Covid”.
Te hendbollistet, të gjitha skuadrat fillojnë prej raundit të dytë të Kupës Evropiane. Prishtina përballet me Vardarin e Shkupit, dikur skuadër elitare evropiane, që kthehet në skenën kontinentale pas tre vjetësh. Ndeshja e parë është në Pallatin e Rinisë dhe Sportit të shtunën, nga ora 17:00. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Shkup.
KHF Vushtrria është pajtuar që dy ndeshjet me skuadrën zvicerane SPONO Eagles t’i luajë në Zvicër. Ndeshja e parë është të shtunën, nga ora 18:00, ndërsa e dyta të dielën, nga ora 19:00. Fakti se dy ndeshjet luhen në Zvicër nënkuptojnë se vushtrriaset janë thuajse pa gjasa.
Edhe KHF Ferizaj është pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë pa udhëtim dhe është thuajse pa gjasa. Pas një jave, më 23 e 24 tetor, Ferizaj në Holandë luan duelet me skuadrën JuRo Unirek VZV.