Sport

Federata Evropiane e Hendbollit e dënon Borcin për fyerjet ndaj shqiptarëve

Federata Evropiane e Hendbollit nuk i ka anashkaluar fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen e luajtur në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës në mes të Borcit vendës dhe skuadrës kosovare, Besa Famgas.

Ajo ndeshje ishte luajtur që më 17 tetor të vitit të kaluar, por EHF-së nuk i është ngutur. Dhe nuk e ka anashkaluar rastin.

Vendimin për ta gjobitur Borcin, Federata Evropiane e ka publikuar të premten në sajtin zyrtar.

Borci i Banjallukës është gjobitur me 5000 euro, ndërsa prej tyre 2000 janë me kusht.

Banjalluka është kryeqendra e Republika Srpskas dhe e banuar kryesisht me serbë. Borci vlerësohet prej simboleve të këtij qytetit. Dhe tifozët e këtij klubi kanë qëndrime anti-Kosovë e antishqiptarë.

Këtë e bënë të qartë ende pa nisur ndeshja me Besa Famgas, tetorin e kaluar në palestrën “Borik” në Banjallukë.

“Kosova është zemra e Serbisë” u dëgjua në palestër pa nisur takimi. Tifozët serbë vazhduan me thirrjet “Kosova, Serbia”. “Mbyte, there, që shqiptari të mos ekzistojë”, “kush nuk kërcen është shqiptar”, “mbyte shqiptarin”, ishin prej thirrjeve të tjera. Ishin kënduar edhe këngë nacionaliste serbe, që Kosovën e shohin pjesë të Serbisë.

Ishte ajo ndeshja e parë e rundit të dytë të Kupës Evropiane në hendboll. Besa kishte pësuar me tri gola dallim, ndërsa kishte fituar bindshëm më thellë në ndeshjen e kthimit në Pejë dhe kishte avancuar tutje. Madje atmosfera “Karagaçi” ishte mbushur me tifozë dhe ndeshja ishte kthyer në festë hendbolli.

Borci nuk kishte dënuar thirrjet antishqiptare të tifozëve.

“Lojtarët kanë treguar shumë dëshirë dhe energji. Kanë lënë zemrën në terren, për çka më shumë se me meritë e kanë mposhtur ekipin me më shumë përvojë nga krahina jugore serbe”, kishte shkruar Borci për Besën. Klubi serb Kosovën e kishte quajtur “krahina jugore serbe”, ndërsa kishte falënderuar tifozët për përkrahjen.

Besa kishte njoftuar se në fyerjet ndaj shqiptarëve, pas ndeshjes ishin bashkuar edhe lojtarët e Borcit, dikur klubi më i suksesshëm evropian.

Federata e Hendbollit e Kosovës i kishte shkruar menjëherë letër EHF-së. Kishte dënuar sjelljet e tifozëve dhe kishte kërkuar masa ndaj tyre.

Federata Evropiane reagoi duke nisur hetime që më 18 tetor. EHF-ja kishte njoftuar se do të hetojë “thirrjet raciste, abuzive dhe nënçmuese”.

Dhe hetimet janë kompletuar këtë javë.

“Gjykata e Hendbollit e EHF-së ka shqiputar një gjobë ndaj RK Borac m:tel për shkeljen e rregullave të sigurisë nga shikuesit gjatë ndeshjes së Kupës Evropiane kundër KH Besa Famgas, e zhvilluar më 17 tetor 2021 në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës. Klubi do të paguajë një gjobë me vlerë prej 5000 euro. Megjithatë, 2000 euro janë me kusht, për periudhë njëvjeçare, duke filluar nga data e vendimit”, shkruan në vendimin e EHF-së, të publikuar në sajtin zyrtar.

Borci është takuar disa herë me skuadrat kosovare. Për herë të parë Besa Famgas e eliminoi vjet.

EHF-ja nuk lejon ndeshjet e ekipeve dhe përfaqësueseve të Kosovës me ekipet e përfaqësueset e Serbisë. Por nuk ka ndalesa për ndeshjet mes Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës, në nivel klubesh e përfaqësuesesh.

Skuadrat kosovare herë pas here përballen me provokime e fyerje që bëhen nga tifozë të skuadrave në vende të ndryshme evropiane. Së fundi kjo i ndodhi skuadrës së futbollit Llapi. Tifozë të Buduqnostit të Podgoricës të enjten mbrëma kanë shfaqur transparente antishqiptare gjatë ndeshjes së Ligës së Konferencës, të zhvilluar në Podgoricë.