Sport

Në Federatën e Boksit presin medalje nga Sadiku në Botëror

Shtatë vjet kanë kaluar nga suksesi i Donjeta Sadikut në Kampionatin Botëror të boksit. Boksierja bindshëm më e suksesshmja në Kosovë, në vitin 2015 pati fituar medalje të argjendtë në Botërorin e mbajtur në Taipein kinez. Që nga ajo kohë, Sadiku nuk mori pjesë në ngjarjen më të madhe në boks - Botëror. Ajo më pas u pengua dy herë të marrë pjesë në botërorët e organizuar në Indi.

India ia pamundësoi pjesëmarrjen në Botëror, një herë si juniore në vitin 2017 dhe pastaj si seniore një vit më vonë, shkaku që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës. Sadiku do të ngjitet sërish në ring në Botërorin që ka nisur javën e shkuar në Turqi dhe përfundon më 21 maj. Ajo të enjten do ta ketë luftën e parë kundër boksieres nga Japonia, Taguchi Ayaka. Në rast të fitores do të përballet me fituesen e duelit mes kenianes Stacy Lucy Ayoma dhe kongolezes Jocelyne Tshamala.

Në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK) presin medalje nga Sadiku. Sekretari i përgjithshëm, Latif Demolli, thotë se Sadiku i ka mundësitë e arta për t’u kthyer me medalje në Kosovë.

“Realisht pritjet janë të mëdha nga ne, pasi Donjeta është në formë të mirë dhe shorti ka qenë në favor të saj. Japonia nuk ka nivel të boksit të zhvilluar. Në rast se eliminon japonezen, Donjeta do ta ketë përballë fituesen e meçit në mes të boksieres nga Kenia dhe Republikës Demokratike të Kongos. Janë dy shtete që nuk kanë pasur nivel të lartë të boksit. Jemi shumë para tyre. E ka një mundësi të artë për të fituar medalje. Gjasa më të mëdha se tash për të fituar medalje nuk ka. E ka rastin e mirë për medalje. Donjeta është në grupin e dytë dhe nuk takohet me boksieren e Anglisë, Finlandës, Indisë dhe Italisë, që janë shtete të forta në boks”, ka thënë Demolli të mërkurën për KOHËN.

Një vit pasi e fitoi medaljen e argjendtë në vitin 2015, Sadiku që bokson në kategorinë deri 60 kilogramë, fitoi edhe të artën në Evropianin e mbajtur në Ordu të Turqisë. Medalja në Turqi vlerësohet edhe e arritura më e madhe e Sadikut. Ajo ishte pjesëmarrëse me ftesë edhe në lojërat olimpike “Tokio 2020”, që u mbajtën verën e vitit të kaluar.

Pas Olimpiadës pati shumë dilema nëse Sadiku do ta vazhdonte karrierën si boksiere apo do të tërhiqej nga ky sport. Ajo nuk ishte deklaruar për një kohë dhe kjo ngjalli dilema të shumta. Por Sadiku bëri ndryshime pas Lojërave Olimpike. Ajo më nuk është pjesë e klubit të boksit “Gollaku”. U largua nga klubi ku u zhvillua si boksiere nën drejtimin e trajnerit Besim Brahimi dhe pas Olimpiadës, Sadiku vendosi të bashkëpunojë me trajneren Marjola Sallauka, që pak ditë më parë formoi klubin e boksit “Uniteti”.

Edhe Sallauka kishte punuar bashkë me Brahimin në klubin “Gollaku”. Sadiku ka treguar më herët synimet e saj. Pati thënë se synon paraqitjen me normë në lojërat olimpike “Parisi 2024”. Synon medalje madje.

Por fokusi i Sadikut fillimisht është te Botërori, që për të nisë të enjten. Në Turqi është bashkë me selektorin i boksiereve Faton Xhakli dhe trajneren Marjola Sallauka. Sadiku e Sallauka nuk kanë folur para Botërorit. Por Sallauka ditë më parë në rrjetet sociale ka shkruar se nga Sadiku pret medalje.

“Donjeta Sadiku është në formën më të mirë për Botëror. Shpresoj që t’i prijë fati e t’i sjellim Kosovës medalje botërore”, ka shkruar ditë më parë Sallauka.

E formën e mirë të boksieres kosovare e konfirmon edhe sekretari i FBOXK-së, Demolli.

“Kam folur me të dhe është në formë të mirë. Në Turqi është që prej datës 7 maj. Është ambientuar dhe ka ushtruar shumë mirë. Sipas selektorit Xhakli, Donjeta është në formë të mirë dhe presim medalje”, ka thënë Demolli.

Sadiku këtë vit ka marrë pjesë vetëm në turneun “Stranxha”, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Fitoi dy meçe.